10:07 / E Shtunë, 20 Korrik 2019 / indeksADMonline

Drecun i njëjtë si Millosheviqi: Jemi të gëzuar me Haradinajn, presim që Thaçi dhe Veseli të jenë në Speciale

Politikanët në Serbi po vazhdojnë me retorika të njëjta sikurse krimineli, Slobodan Millosheviq.

Së fundmi, kishte reagime të shumta rreth ftesave të komandantëve të UÇK-së për në Gjykatën Speciale, transmeton Indeksonline

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun tha se ishte një lajm i mirë që kryeministri, Ramush Haradinaj dha dorëheqjen nga posti i tij pasi mori një telefonatë nga Prokuroria Speciale në Hagë si i dyshuar.

Drecun theksoi se pret që një thirrje të tillë ta marrin edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe njerëz të tjerë kyç nga UÇK-ja.

“Kjo sigurisht që është një lajm pozitiv që do të hapë rrugën që më në fund të vendoset drejtësi edhe për viktimat serbe dhe për të sjellë ata që janë përgjegjës penalisht. Mbetet për t’u parë, dhe ne presim që thirrjet identike të marrin edhe Thaçi, Veseli dhe të tjetër…”, ka thënë ai.

“Unë mendoj se ky është një hap drejt pastrimit të skenës politike në mesin e shqiptarëve”.

Ndryshe, dje Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë ka dalë në konferencë për media për të dhënë më shumë arsye rreth vendimit për ta braktisur Qeverinë.

 “Është mirë me e kuptu të gjithë që jemi sovranë, jemi njerëz të këtij vendi, e kemi nderin tonë. Nuk është në treg për vlera tjera nderi ynë dhe i luftëtarit shqiptar, edhe i vendit, edhe i shtetit, edhe i kryetarit të Qeverisë. Nuk është i poshtërueshëm nga askush”, është përgjigjur Haradinaj. “Edhe pse jemi vend i ri e i vogël, nuk do të mundet kush ta poshtërojë Kosovën asnjëherë”, ka deklaruar ai. /Indeksonline/