20:18 / E Mërkurë, 13 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Drejtor i Emergjencës në Shkup: Katër pacientë i pranuam me lëndime të rënda

Ilir Asani, Drejtor i Emergjencës në Qendrën Klinike në Shkup është deklaruar lidhur me gjenden e disa prej të lënduarve si pasojë e aksidentit i cili ndodhi në autostradën Shkup-Tetovë.

Asani ka theksuar se në spital janë pranuar 5 pacientë dhe se përveç njërit i cili me lëndime pak më të lehta, të gjithë të tjerët janë me lëndime të rënda.

“Në spital janë pranuar pesë pacientë. Përveç njërit i cili është me lëndime pak më të lehta, gjithë të tjerët janë me lëndime të rënda trupore që kërkojnë intervenim kirurgjikal”, ka thënë Asani.

Tutje ai ka shtuar se të gjithë kirurgët janë mbledhur dhe se për momentin pritet fluks më i madh i pacientëve të tjerë.

Në një deklarim për media para pak minutave ministri i Shëndetësisë në Maqedoni, Venko Filipçe tha se numri i viktimave është 13 dhe se 7 prej tyre humbën jetën në vendngjarje kurse 5 të tjerë në spital.

Rrokullisja e autobusit në këtë pjesë të autostradës ndodhi rreth orës 17:00. Lidhur me këtë ngjarje të gjitha ekipet emergjente janë në gatishmëri bashkë me ndihmën e shumë qytetarëve./Indeksonline/