15:04 / E Enjte, 14 Shtator 2023 / S Z

Drejtori i SHSKUK-së takon farmacistët, kërkon të mos ketë ngecje në furnizim me barna

Angazhim maksimal në realizim të detyrave dhe përgjegjësive nga farmacistët e punësuar në ShSKUK, ka kërkuar drejtori i përgjithshëm Elvir Azizi, gjatë takimit që ka mbajtur gjatë ditës së sotme.

Qëllimi i takimit ishte furnizimi me barna dhe material shpenzues, bazuar në Listën e re Esenciale të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Drejtori Azizi mes tjerash kërkoi që secili nga farmacistët e punësuar në ShSKUK të japë maksimumin e punës që mos të ketë ngecje në furnizim dhe pacientëve që marrin trajtim të mos u mungojnë barnat e nevojshme.

Ai tha se nuk do të ketë tolerime dhe në rastet kur vërtetohet se ka pasur ngecje, ndaj përgjegjësve do të ndërmerren masat e nevojshme ligjore dhe askush nuk do lejohet të jetë pengesë e proceseve të nisura.