75 Mall Live Search
12:20 / E Martë, 13 Mars 2018 / indeksADMonline

Drejtori i Arsimit në Prishtinë kundër SBASHK-ut dhe grevës

Jonuz Salihaj, drejtor i Arsimit në komunën e Prishtinës ka dalë me qëndrim kundër grevës që e ka mbajtur i gjithë sistemi arsimor, si dhe kundër SBASHK-ut.

Kjo, për arsyen se Salihaj kërkon që fëmijët të mos paguajnë çmimin e premtimeve të parealizuara të bartësve të funksioneve publike, transmeton Indeksonline.

Më poshtë gjeni reagimin e tij të plotë:

Sindikata e Bashkuar e Arsimit-SBASHK, ka vazhdua realizimin e grevave në arsim duke paralajmëruar grevë të përgjithshme me 13 Prill të këtij viti, nëse nuk plotësohen kërkesat e bëra publike vite më parë.

Kërkojmë që të rishqyrtohet me kujdes edhe një herë ky vendim, në mënyrë që fëmijët tanë mos të paguajnë çmimin e premtimeve të parealizuara, të bartësve të funksioneve publike.

Nuk ka asnjë dyshim se shumica e qytetarëve të Kosovës mbështesin kërkesën bazë, rregullimin e statusit ligjor të punëtorëve të viteve të 90-ta.

Nisma për këtë Projektligj është marrë nga Parlamenti i Kosovës, në seancat e 6 dhe 18 Prillit 2013, pasi ishin mbledhur 12 mijë nënshkrime të të punësuarve në arsim.

Projektligji i përgatitur në vitin 2015, ka mbetur në sirtarët e Qeverisë, duke mos u proceduar në Parlament.

Po ashtu, Kontrata Kolektive e nënshkruar nga ish Kryeministri Thaçi është obligative për të gjitha institucionet e vendit.

Qeverisja demokratike paraqet vazhdimësi detyruese për zbatimin e përvojave dhe të praktikave legjislative pozitive të cilat janë në interesin e qytetarëve dhe të cilat janë të miratuar nga legjislaturat dhe qeveritë e kaluara, andaj duhet dhe besojmë fuqishëm se do të respektohen dhe përmbushen.

Për këtë arsye, ngutësinë dhe presionin e SBASHK-ut, e konsiderojmë të pamenduar mirë dhe me pasoja të dëmshme kombëtare, sepse tani jemi pak javë para zbatimit të vlerësimit PISA-s në Kosovë. Greva do të këtë pasoja eksplicite negative në rezultatet e PISA-s.

SBASHK, duhet reflektojë shumë, për pasojat e veprimeve te veta, aq me tepër kur Kryeministri Haradinaj dhe ministri Bytyqi kanë shprehur vendosmërinë për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Duke njohur përkushtimin e kryeministrit Haradinaj në realizimin e prioriteteve të Qeverisë, jam i bindur se kërkesa bazë e SBASHK-ut, që tani është kërkesë legjitime e punëtorëve arsimor që dhanë kontribut të çmuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, do të përmbushet gjatë këtij viti, andaj kërkojmë që edhe për këtë arsye SBASHK-u të heq dorë nga presionet të cilat dëmtojnë interesin qytetar dhe kombëtarë të Kosovës.

SBASHK-u duhet të jetë i vetëdijshëm se Kosova po përballet me sfida akute me interes të lart nacional për të tashmen dhe për të ardhmen e këtij vendi, andaj në vend se të krijojë sfida dhe vështirësi të reja të cilat Kosovën mund ta fusin në një qark vicioz, duhet të jete aleat dhe mbështetës i institucioneve të Kosovës, e jo mekanizëm i prodhimit të problemeve entropike për Kosovën.

SBASHK-u po ashtu e dinë se nxënësit e klasave te V, IX dhe të XII janë para provimeve kombëtare të arritshmërisë dhe provimit të maturës shtetërore. Me organizimin e grevave, ata drejtpërdrejti do të ndikojnë në fatin e dhjetëra-mijërave nxënësve të Kosovës. Është kjo një përgjegjësi e madhe humane dhe kombëtare për të cilën SBASHK-u seriozisht duhet të reflektojë.

Për fat të keq, në vendin tonë vendimet për ndërprerjen e mësimit merren me lehtësi të pakuptueshme dhe pa ndonjë analize të mirëfilltë, duke injoruar mendimin e prindërve dhe komunitetit, që duhet të jenë faktorë kyç në procesin e vendimmarrjes.

Bazuar në faktet dhe argumentet e përmendura, ftoj SBASHK-un të reflektojë dhe të heq dorë nga organizimet e grevave me te cilat drejtpërdrejti atakon interesin nacional të Kosovës.

Me shprese , se SBASHK-u do të reflektoj dhe do te heq dorë nga grevat paraprakisht iu jemi mirënjohës.

Si përfundim, nuk ka mandat askush t’i privojë fëmijët tanë nga një e drejtë elementare, e drejta për arsimim.