17:19 / E Diele, 30 Shtator 2018 / indeksADMonline

Dy muaj pa rroga, punëtorët e Pallatit të Rinisë nisin grevën

Mos marrja e pagave për dy muaj ka shtyrë 104 punëtorët e Pallatit të Rinisë që të hyjnë në grevë nga data 28 shtator. Ata paralajmërojnë se nuk do t’i japin fund grevës deri në marrjen e pagave, ndërkohë që Agjencia Kosovare e Privatizimit që ka menaxhuar më herët me këtë ndërmarrje dhe Komuna e Prishtinës që tashmë e menaxhon, nuk kanë thënë asnjë fjalë për këtë.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Pallatit të Rinisë, Enver Musiçi, ka thënë se punëtorët pagën e fundit e kanë marrë në muajin korrik dhe se për këtë çështje kanë komunikuar me zyrtarët e AKP-së dhe Komunës së Prishtinës, por ata, sipas tij, po ia hedhin fajin njëri-tjetrit për mos dhënie pagash.

Musiçi thotë se tashmë kanë mbetur në udhëkryq, ku nuk e dinë se nga kush të kërkojnë përgjegjësi për mos marrjen e pagave. Ai ka treguar se është bërë një marrëveshje verbale në mes AKP-së dhe Komunës së Prishtinës, që AKP të paguajë pagat e punëtorëve meqë mjetet kanë qenë në llogari.

Nëse nuk gjendet një zgjidhje, Musiçi thotë se do të marrin masa të tjera, por që ende nuk kanë vendosur të përshkallëzojnë grevën apo të protestojnë.

Ai ka bërë të ditur se aktualisht punëtorët e sigurimit janë duke e bërë punën e tyre për shkak të sigurisë së objektit.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Pallatit të Rinisë, Enver Musiçi, ka thënë se do të ndërpresin grevën vetëm atëherë kur të marrin pagat, e deri atëherë ai thotë se punëtorët e shërbimit teknik, shërbimi i sigurimit dhe administrata do të vazhdojnë grevën.

KosovaPress gjatë ditës ka provuar të kontaktojë me zyrtarë të AKP-së dhe të Komunës së Prishtinës, për të kuptuar se kush është përgjegjës për të bërë pagesën e punëtorëve, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur thirrjeve të redaksisë.

Qeveria e Kosovës në dhjetorin e vitit të kaluar kishte marrë vendim që Pallati i Rinisë dhe Sporteve, nga AKP-ja, të kalojë në pronësi të Komunës së Prishtinës. Ndërkohë që zyrtarisht më 12 shtator të këtij vitit AKP kishte bërë dorëzimin e Pallatit të Rinisë te Komuna e Prishtinës.