23:55 / E Martë, 25 Qershor 2019 / indeksADMonline

Drejtori i Gjinekologjisë: Çiftet të jenë të qeta, embrionet e tyre të konfiskuara janë të sigurta

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, Jakup Ismaili, ka thënë se bastisjet e disa spitaleve private dhe konfiskimi i embrioneve të pacientëve të këtyre spitaleve janë bërë për shkak të shkeljeve të udhëzimit administrativ.

Ismaili, në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka thënë se embriologu i njërit prej këtyre spitaleve nuk i dinte për asnjë regjistër se çfarë ka brenda “tankut” të konfiskuar.

Ai ka thënë se QKUK ka dhomën që i plotëson kushtet higjienike për ruajtjen e materialit të konfiskuar nga aksioni i prokurorisë.

“Dhoma është e mbyllur dhe ka qasje vetëm biologu që është i përgatitur në sferën e riprodhimit human… Unë them me përgjegjësi të plotë se çifti bashkëshortor që kanë dhënë embrionet të jenë të sigurt se deri tash embrionet e tyre janë të ruajtura mirë dhe të i plotësojnë kushtet për riprodhim”.

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë ka thënë se embrionet mund të ruhen në një afat deri në pesë vite, por sipas tij prindërit mund të kërkojnë të shtyhet ky afat edhe për vite të tjera.

“Nëse nuk lajmërohet askush, ne kemi të drejt t’i ruajmë deri në pesë vite”, tha ai.

Ismaili thotë konfiskimi i këtyre materialeve është bërë në prani të Inspektoratit Policor, Inspektoratit Shëndetësor, embriologut të spitaleve përkatëse dhe embriologut të QKUK-së dhe sipas tij gjithçka është bërë në pranim-dorëzim.

Fertilizimi in vitro (IVF) është një metodë e trajtimit të përdorur kur çiftet nuk mund të lindin fëmijë pavarësisht marrëdhënieve seksuale të rregullta të pambrojtura.