Drejtori i Policisë thotë se në veri ka tensione për shkak të zgjedhjeve
Në Komisionin për të drejtat dhe interesat e komuniteteve dhe kthim ka raportuar ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme Ekrem Mustafa, lidhur me gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe incidentet që kanë motive ndëretnike.
Mustafa tha se në raport me rajonin Kosova qëndron mirë sa i takon kësaj çështje dhe ka rënie të rasteve të incidenteve ndëretnike në Kosovë.
Mustafa tha se MPB është përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe zbatimit të ligjit, për një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët, në veçanti, ruajtjen e sigurisë për të gjitha komunitetet.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë se Kosovës, Rashit Qalaj, tha se situata e sigurisë është mjaftë e qetë dhe stabile, përkundër disa incidenteve të cilat sipas tij nuk kanë ndikuar në sigurinë nacionale.
Thotë se edhe trendet e krimit janë në rënie.
Si shqetësim drejtori i PK-së, ka përmendur numrin e aksidenteve me fatalitet i cili tha se ka shënuar rritje krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Duke folur për sigurinë ne veri ai tha se gjendja edhe atje është stabile, por pranoi se ka tensione për shkak të zgjedhjeve, ndërsa u zotua se si PK do të mundohen të ruajnë qetësinë dhe të drejtën për votë të drejtë.