11:26 / E Enjte, 14 Shtator 2023 / L K

Droga në Shqipëri erdhi nga Kanadaja e fshehur në konservë peshku

Një operacion i madh me mbi 200 të arrestuar që rezultoi me shkatërrimin e një grupi kriminal në Shqipëri u finalizua gjatë ditës së sotme. Top Channel ka siguruar edhe foto se si grupi shpërndante lëndët narkotike.

Trafikantët e fusnin kanabisin në konserva dhe më pas e shpërndanin. Kanabisin që tregtonin ishte i prodhuar me llamba dhe kushtonte rreth 30 euro, tre herë më shtrenjtë se kanabisi klasik.

Sipas Top Channnel, operacioni është ende në vijim, ndërkohë që personat e përfshirë në këtë rrjet, shpërndanin kanabis, kokainë dhe heroinë.

Ky hetim ka nisur muaj më parë, ku policia hetoi lidhjet e personave të arrestuar më herët për shpërndarje dhe zbuloi anëtarët e tjerë. Gjykata ka nxjerrë mbi 100 urdhra ndalimi.

Operacioni po mbahet në të njëjtën kohë edhe në disa qytete të tjera, ku zbulohet se numri më i lartë i shpërndarëve është në Tiranë. Deri më tani në qytetin e Vlorës janë arrestuar 60 persona, të cilët dyshohen se janë shpërndarës të sasive të vogla të drogës. Mes të arrestuarve ka dhe femra.

Në qytetin e Elbasanit janë arrestuar nëntë persona dhe pesë të tjerë janë shpallur në kërkim. Mes të arrestuarve është edhe një punonjës policie, Sajmir Hysa i cili akuzohet për shpërdorim detyre dhe përkrahje të autorit të krimit.

Në Korçë janë arrestuar 20 persona, në Fier katër të arrestuar dhe gjashtë nën hetim, ndërsa në Bulqizë janë arrestuar katër persona dhe janë kontrolluar pesë banesa.

Policia ka sekuestruar vetëm në kryeqytet rreth 3 kg kokainë dhe 15 kg kanabis.