23:02 / E Premte, 15 Mars 2019 / indeksADMonline

Duka porosi futbollistit: Po të them si djalit tim, gabove që nuk e zgjodhe Shqipërinë!

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në prag të dy ndeshjeve të përfaqësueses së Shqipërisë, ka folur ndër të tjera edhe për çështjen “Durmishaj”. Futbollisti Fiorin Durmishaj, pjesë e ekipeve zinxhir të Shqipërisë ka refuzuar ftesën e trajnerit kuqezi, Christian Panucci, duke vendosur të përfaqësojë Greqinë, vendin ku po jeton aktualisht dhe aty ku aktivizohet me skuadrën e Panionios.

“Jemi angazhuar të gjithë për të pasur në ekip Durmishajn dhe të tjerë. Bëhet fjalë edhe për një tjetër, Vrushaj nga Berati, i cili luan në Holandë. Njëlloj edhe ai ka zgjedhur Greqinë, pasi është aktivizuar atje edhe me moshat. Ndërkohë, rasti i Durmishajt është ndryshe, sepse ai ka qenë pjesë e moshave këtu te ne, me Shqipërinë. Ai mori një ftesë nga trajneri Panucci, por zgjodhi të qëndrojë për të përfaqësuar Greqinë” deklaroi Duka.

“Është zgjedhja e tij, por e ndjej si detyrë t’ja them atij sikur të ishte fëmija im: Nuk ka bërë zgjedhjen e duhur me vendimin për të përfaqësuar Greqinë. Nuk mendoj se ai do ketë më shumë perspektivë, apo interesa individuale, familjare, sportive. Ka bërë një zgjedhje të gabuar, që besoj se me kalimin e kohës, do ta kuptojë se ka gabuar”, vijoi presidenti i FSHF-së.

“Sot luan në Greqi, nesër mund të shkojë të luajë në Holandë. Për çfarë duhet të luajë me Greqinë? Prandaj janë ekipet Kombëtare. Ai ka lidhje origjine me Shqipërinë, pavarësisht se do jetojë në Europë, atje ku luan, si gjithë lojtarët e tjerë shqiptarë. Janë qytetarë të atyre shteteve, por ndihen mirë se përfaqësojnë Shqipërinë. E dyta, mendoj se kanë më shumë mundësi me Shqipërinë. Nuk besoj se Greqia do jetë e lumtur të aktivizojë futbollistë që nuk janë grek”, vijoi Duka.

“Mund t’i duhen për një moment, por eksperienca ka dëshmuar se më pas nuk i ka mbështetur. Ka qenë një futbollist shumë i madh, një talent për moshën, Nini, dhe nuk luajti kurrë. Edhe një tjetër, shumë i mirë, Gjergji Kone, luajti pak ndeshje. Këtu do kishte më shumë prespektivë, por zgjedhja në fund është e tyre. Greqia po bëhet si Zvicra, po e përzien ekipin me kombësi të ndryshme”, deklaori ndër të tjera presidenti i FSHF-së, Armand Duka.