Durrës, rritet transporti i mallrave me tragete
Gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona e kthim kanë transportuar bashkë me udhëtarët, mbi 63 mijë kamionë dhe trajlera me 726 mijë ton mallra gjithsej.
Në të njëjtën periudhë ato janë preferuar nga afro 757 mijë udhëtarë vendas dhe të huaj.
Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në Autoritetin Portual Durrës, mësohet se tragetet gjatë këtij 10-mujori kanë kryer 851 lundrime vajtje-ardhje, vetëm 2 më shumë se sa e njejta periudhë e vitit të kaluar, transmeton atsh.
Ndërsa volumi i mallrave të transportuar ka arritur në 450 mijë ton në hyrje drejt Durrësit, dhe në 276 mijë ton në dalje, shifra përkatësisht 7 % dhe 8 % më të larta se sa në janar-tetorin e vitit 2017.
Tragetet e linjave kanë transportuar në janar-tetorin e e këtij viti 58.284 kamionë dhe 5.089 trajlerë, përkatësisht 5 % dhe 1 % më shumë se në 10-mujorin e vitit të kaluar.