Dy grada përnjëherë, e veçanta e konkursit për togerë në Policinë e Kosovës
Policia e Kosovës ka shpallur konkursin e brendshëm për gradime, duke hapur një proces të shumëpritur për avancimin e zyrtarëve policorë. Në fazën e parë janë siguruar 157 pozita për gradën toger, ndërsa pas përfundimit të këtij procesi pritet të shpallet edhe konkursi për gradën rreshter, transmeton IndeksOnline.
E veçanta e këtij konkursi është mundësia që për herë të parë zyrtarët policorë me së paku 10 vjet përvojë aktive në Policinë e Kosovës të avancohen direkt në gradën e togerit, duke kaluar gradën e rreshterit. Kjo do të thotë se një zyrtar policor pa gradë mund të fitojë dy grada njëherazi, nëse plotëson kriteret e përcaktuara.
Lidhur me këtë proces, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka theksuar se konkursi përfshin 157 pozita të hapura për zyrtarët që plotësojnë kushtet ligjore dhe profesionale.
Sipas tij, të drejtë aplikimi kanë të gjithë zyrtarët policorë që kanë të paktën dy vjet në gradën e rreshterit, si edhe zyrtarët me gradën polic i lartë që kanë minimumi 10 vjet përvojë aktive në Policinë e Kosovës. Afati për aplikim është i hapur deri më 12 qershor 2026.
Sveçla e ka cilësuar këtë proces si një hap të rëndësishëm drejt reformimit dhe fuqizimit të sistemit të karrierës në Policinë e Kosovës, duke vlerësuar se përmes tij po krijohen më shumë mundësi avancimi për zyrtarët që për vite me radhë kanë shërbyer me profesionalizëm dhe përkushtim.
Ai ka bërë të ditur se pas përfundimit të këtij procesi do të pasojnë edhe gradimet e tjera, me qëllim të avancimit profesional, motivimit institucional dhe forcimit të kapaciteteve të Policisë së Kosovës./IndeksOnline/



