21:29 / E Enjte, 15 Gusht 2019 / indeksADMonline

Dy muaj nga zhdukja e 15 vjeçares, babai i djalit ndihmoi të birin 16 vjeçar ta kalonin kufirin në Mal të Zi

Më 14 qershor, vajza e tyre e vetme, doli nga shtëpia, ndërsa nuk dihet tash e dy muaj për fatin e saj. 15 vjeçarja egjiptiane nga Gjakova u nis për në shkollë ku mori pasaportën, ku pas dy ditësh bashkë me një djalë të komunitetin rom po nga Gjakova kaluan kufirin me Malin e Zi, e kjo u bë me ndihmën e babait të djalit.

Nëna e vajzës, Teuta Derri, ka folur për Indeksonline duke rrëfyer të gjithë ngjarjen, deri sa vazhdon çdo ditë ta kërkojë vajzën atë.

Në 7:30 u nis me shku në shkollë, ajo paska qenë e kërcënuar sipas shokëve të shkollës, por nuk po e dimë se kujt i ka thënë. I ka paska thënë nëse nuk me merr ti mu, kam me ta mbyt babën, edhe u detyru vajza e ka marr pasaportën me vete. Vajza me 4 mars i bën 16 vjet, djali i ka 16 dhe ma nuk u kthy nga shkolla.

Baba i djalit e ka lajmëru burrin, djali jem me vajzën tënde janë ik bashkë, eja shkojmë t’i kërkojmë, janë shku në Tiranë, Durrës, Vlorë e qika ka qenë këtu, po vetëm me humb kohën baba i vet, por më duket që vajza ka qenë në shtëpi dy ditë. E pas dy ditësh me 16 qershor, kanë kalu kufirin në Kullën e Rozhajës, ku jemi njoftu nga Policia, të cilët na kanë thënë që e kanë kalu kufirin baba i djalit, nëna, dy motrat dhe vet djali.  Po dyshojmë ne se me pasaportë të vajzës së vet, ka mujt me kalu edhe vajzën tem, vetëm ia ka ndërru fotografinë, ka thënë ajo.

Më 18 qershor Teuta mori një telefonatë nga vajza e saj, ku i kërkoi ndihmë prindërve të saj, por këto ishin fjalët e saj të fundit.

Vajza ime me datë 18 më ka thirr në orën 11:00 – 00:00 natës, më ka thënë: mam shkoni heqeni denoncimin se unë jam larg, nuk e di ku jam. Dëgjohej në telefon i një mashkulli, ndërsa ajo vazhdoj duke më thënë se ne jemi në Greqi, po presim anije për me dalë në Itali, unë më nuk kthehem. Por këto fjalë mi ka thënë në presion të tyre, pasi fjalën denoncim ajo s’ka dit me thanë.

Pas gjys ore ma ka dërgu edhe një mesazh me zë (të cilin e posedon edhe Indeksonline) ku thotë se babi kur të mundesh me më thirr në këtë numër më thirr se unë po flas tinëz Besartit, se s’po guxoj. Kur të mundesh thirrëm. Por, në këtë numër lajmërohet tash dikush nga Graçanica, që thotë se e ka që 40 vjet”.

Teuta tutje thotë se burri saj është kërcënuar nga babai i djalit, ku ky i fundit i kishte thënë se nëse e lajmëron rastin në polici, atëherë s’do ta shoh më vajzën.

Babai i djalit e ka kërcënu burrin tim rrugës duke i thënë gjatë rrugës për në Tiranë, duke i thënë se nëse shkon ti në polici, kurrë vajzën me sy s’ki me pa. Por, unë ende pa u kthy burri kam shku vet në polici, e kam lajmëru rastin. Ai posa ka dëgju se ne e kemi bërë lajmërimin, i ka thënë më pas burrit se tash kërkojeni me polici, por vajzën kurrë s’ki më pa me sy më.

Ne nuk kemi shku më tek familja e djalit, por babai i tij ka dërgu njerëz tek ne që mu pajtu me ta, që me ma marr vajzën, por ne nuk përshtatemi me ta, ata janë romë, ndërsa ne egjiptian, nuk kemi lidhje dhe çfarë është më e keqja, vajza është vetëm 15 vjeçare, nuk lejon ligji e as ne s’duam që ajo të martohet”.

Babait të djalit iu caktua 30 ditë arrest shtëpiak, por Teuta thotë nuk janë aspak dakord me vendimin e gjykatës, pasi që ai dënimin po e bën në dyqanin e tij, duke qenë i lirë.

Prokurori Ramiz Buzhala ka kërku që babai i djalit me nejt në paraburgim 30 ditë, por lënda kur ka shku në gjykatë, gjykata ka vendos 30 ditë arrest shtëpiak, por babai i djalit ka kërku që këtë dënim me ba në dyqan. 

Ne nuk dimë asgjë për fatin e jetës tonë, a është gjallë a e vdekun. Policia e Malit të Zi ka kërku atje, po s’ka gjet asgjë. Unë me bashkëshortin kemi qenë edhe vet atje, pasi që motra e djalit jeton në Podgoricë, edhe me polici kemi shku te ajo, por asgjë. Një avokat i familjes së djalit ka dëgju kinse që ata janë dalë në Itali”./Indeksonline/