07:27 / E Enjte, 13 Gusht 2020

Dy përbërës natyral për dëmtimin e flokëve

Flokët e thatë, të dëmtuar e të pabindur janë një makth i shumë njerëzve dhe shpesh duket se zgjidhja për to është e pamundur. Rigjenerimi i flokut të dëmtuar është një proces që kërkon kohë dhe kujdes të jashtëzakonshëm përgjatë gjithë kësaj kohe. Megjithatë ekspertët rekomandojnë disa mënyra, me produkte natyrale, për të shpëtuar nga ky problem.

Ja një prej tyre që mund ta përgatisni vetë në shtëpi.

Mjaltë dhe vaj, të dy këta përbërës përmbajnë vitamina dhe minerale të cilat ndihmojnë në rigjenerimin e fijeve të flokut. Kjo maskë është e pasur me omega-3, antioksidantë, acide yndyrore dhe vitaminë E, të cilat ndihmojnë në rritjen dhe parandalojnë këputjen e flokut.

Përbërësit:

  • 4 lugë gjelle mjaltë
  • 2 lugë gjelle vaj ulliri

Përgatitja:

Për përgatitjen e këtij trajtimi si fillim ju duhet të zgjidhni një xhezve ose tenxhere të vogël. Në të shtoni mjaltin dhe vajin dhe vëreni në zjarr që të nxehet, të gjithë këtë proces mund ta bëni edhe duke përdorur mikrovalën. Pasi mjalti dhe vaji të jenë nxehur dhe bashkuar mirë me njëri-tjetrin hiqeni nga zjarri dhe provojeni me gisht për nxehtësinë.

Më pas merreni me duar të gjithë masën e krijuar dhe vendoseni në zonën problematike. Më pas mbështillini flokët me peshqir dhe lëreni trajtimin të veprojë për 10-15 minuta dhe në fund lajini flokët si zakonisht. Për rezultate sa më të mira është e rëndësishme që të përdorni mjaltë organik dhe vaj ulliri ekstra të virgjër.

Këtë trajtim rekomandohet që ta bëni të paktën një herë në javë në mënyrë që flokët tuaj të thatë të marrin hidratimin e nevojshëm. Në varësi të gjatësisë së flokëve tuaj ju mund t’i pakësoni ose shtoni masat e përdorura në këtë artikull.