08:23 / E Mërkurë, 23 Nëntor 2022 / L K

Dy shpërthime me bomba në Jerusalem, një viktimë dhe 20 të plagosur

Dy shpërthime të fuqishme janë raportuar në afërsi të një stacioni autobusësh në Jerusalem.

Mediet vendase bëjnë fjalë për dy bomba që kanë shpërthyer njëra pas tjetrës, e për pasojë janë plagosur 20 persona dhe një person ka vdekur.

Sipas informacioneve të transmetuara nga radioja e ushtrisë izraelite, bëhet fjalë për sulme bombarduese palestineze.

Lajmi është konfirmuar nga policia izraelite.

Shpërthimet pasojnë disa muaj tensionesh në Bregun Perëndimor territor palestinez i mbajtur nga Izraeli që nga viti 1967, ku ushtria izraelite ka rritur operacionet pas një serie sulmesh vdekjeprurëse anti-izraelite në mars dhe prill.

Që atëherë, ajo ka nisur mbi 2,000 bastisje në Bregun Perëndimor, veçanërisht në sektorët Jenin dhe Nablus.

Bastisjet e saj, gjatë të cilave shpesh shpërthejnë përleshje me popullsinë palestineze, kanë marrë jetën e mbi 125 personave në anën palestineze.

Sipas OKB-së, ky është numri më i madh i viktimave në Bregun Perëndimor në rreth shtatë vjet.