09:10 / E Hënë, 08 Tetor 2018 / indeksADMonline

Dy të rinj shqiptarë sulmohen në Novi Sad, njëri prej tyre në rrezik për jetë

Dy të rinj shqiptarë janë sulmuar fizikisht në Novi Sad. Kjo është bërë e ditur nga Shoqata e Shqiptarëve të Serbisë në Novi Sad.

Sipas tyre të rinjtë shqiptarë janë sulmuar në mënyrën më brutale përderisa njëri prej tyre është në rrezik për jetë.

“Natën në mes të shtunës dhe dielës në rrugën Futushka, në stacionin e taksive para Ruletit “Gaja”, dy të rinj të kombësisë shqiptare G.B. dhe Ç.M., të dytë të lindur në vitin 1999, janë sulmuar nga “një grup i  panjohur prej katër personave, pa asnjë arsye, vetëm se ata në mes veti kanë komunikuar në gjuhën shqipe”, thuhet në kumtesën e shoqatës, transmeton Indeksonline.

Gjihtashtu është bërë e ditur se Ç.M. ka lëndime të rënda: frakturë të ashtit të kokës dhe gjakderdhje në tru. Ai është operuar në Qendrën Klinike të Vojvodinës dhe jeta e tij është në rrezik.

Personi i dytë ka lëndime të rënda, por jeta e tij nuk është në rrezik, pretendohet në kumtesë.

Poashtu është theksuar se policia tashmë është në kërkim të sulmuesve.

“Shoqata e Shqiptarëve të Serbisë me këtë rast i falënderon mjekët e shërbimit emergjent të Shtëpisë së Shëndetit në Novi Sad për intervenim të shpejtë dhe dhënie të ndihmës, e veçanërisht e falënderon ekipin kujdestar të Qendrës Klinike të Vojvodinës. Apelojmë te organet kompetente që kryerësit e këtij krimi sa më shpejtë t’i dorëzohen drejtësisë”, shkruan në kumtesë të cilin e ka nënshkruan kryetari i Shoqatës Demë Bersha.