21:31 / E Mërkurë, 19 Janar 2022 / AR

Dy të tretat e efekteve të vaksinës nuk shkaktohen nga vaksina: Ç’është ‘efekti nocebo’?

Më shumë se dy të tretat e efekteve anësore të zakonshme që njerëzit përjetojnë pas një vaksine Covid mund t’i atribuohen një versioni negativ të efektit placebo dhe jo vetë vaksinës, pretendojnë studiuesit e një hulumtimi të fundit.

Një shpjegim për termat:

Placebo është një substancë ose trajtim i rremë që është krijuar për të mos pasur asnjë vlerë terapeutike. Në testimin e ilaçeve dhe nëpër studime mjekësore, një placebo mund të bëhet që t’i ngjajë një ilaçi ose terapie; kjo bëhet për të parandaluar që marrësi ose të tjerët të dinë nëse një trajtim është aktiv ose joaktiv, pasi pritshmëritë për efikasitetin mund të ndikojnë te rezultatet.

Efekti nocebo thuhet se ndodh kur pritshmëritë negative të pacientit në lidhje me një trajtim bëjnë që trajtimi të ketë një efekt më negativ sesa normalisht.

Shkencëtarët në SHBA shqyrtuan të dhënat nga 12 prova klinike të vaksinave kundër Covid dhe zbuluan se “efekti nocebo” përbënte rreth 76% të të gjitha reaksioneve anësore të zakonshme pas dozës së parë dhe gati 52% pas dozës së dytë.

Të dhënat sugjerojnë se një pjesë e konsiderueshme e efekteve anësore më të lehta, të tilla si dhimbja e kokës, lodhja afatshkurtër dhe dhimbja e krahut nuk prodhohen nga përbërësit e vaksinës, por nga faktorë të tjerë që mendohet se gjenerojnë përgjigjen nocebo, duke përfshirë ankthin, pritshmërinë dhe keqinformimet për vaksinën.

Në funksion të rezultateve, studiuesit argumentojnë se informacioni më i mirë publik mund të përmirësojë marrjen e vaksinës së Covid duke reduktuar shqetësimet që i bëjnë disa njerëz të hezitojnë.