10:21 / E Martë, 19 Mars 2019 / indeksADMonline

Dy vrasje, asnjë ditë burg! Jeta plotë probleme e Jurgen Kurtit

Policia vijon hetimet lidhur me vrasjen e Jurgen Kurtit mbrëmjen e 18 marsit në rrugën “Zef Jubani”, në Tiranë.

26 vjeçari ekzekutua në hyrje të pallatit ku jetonte e ëma mbrëmë në zonën e Tiranës së Re në kryeqytet. Ai është një emër mjaft i njohur për median si edhe policinë, pasi ka qenë i dyshuar të paktën dy herë për dy vrasje të ndryshme në Tiranë dhe në Durrës.

Herën e parë, Kurti u arrestua për vrasjen e babait të tij. Në prill të 2016-s, gjatë një konflikti familjar mbeti i vdekur babai Artur Kurti, babai i Jurgen Kurtit. Për këtë krim u arrestua Jurgeni dhe daja i tij, Leonard Ristani, i cili edhe u dënua me burg.

Kurti u lirua pas disa kohësh në paraburgim nisur edhe nga fakti se nuk pati denoncim nga nëna e tij.

Një vit pas vrasjes së babait, emri i Jurgen Kurtit do të dilte sërish, tashmë për një ngjarje makabre në Durrës. Biznesmeni Agim Arapi do të vritej në mënyrë makabre me grushte nga vëllezërit Kostandin dhe Kujtim Ekonomi nga Durrësi.

Jurgen Kurti i detyrohej 13 000 lekë Agim Arapit për tubin e aspirimit, por ky i ashtuquajturi “menaxher i VIP-ave” nuk ia kthente duke shkaktuar edhe debatin mes tyre. Në debat e sipër në dyqan hyjnë vëllezërit Ekonomi dhe e rrahin Arapin për vdekje. Kurti u arrestua nga policia, por sërish ia doli të mos bëjë asnjë ditë burg për këtë vrasje.

Në lidhje me ekzekutimin e mbrëmshëm, policia ka disa pista të hapura, të cilat nisin nga konfliktet për çështje parash me persona të tjerë të njohur në Tiranë e deri tek hakmarrja./albeu/