23:52 / E Shtunë, 18 Qershor 2022 / OSH

Dyfishohen vizitat, psikiatrja shqiptare: Agresiviteti, simptoma më e shpeshtë

Jo vetëm urgjenca në spitale por dhe në poliklinika ka rritje të numri të pacientëve që paraqiten me çrregullime të shëndetit mendor. Mjekja psikiatre Arjana Rreli thotë se po përballet me një fluks personash, dyfish më shumë se një vit më parë.

“Unë mund të them me plotë gojën që po përballemi me dyfishin e ngarkesës, krahasimisht me një vit më përpara. Të gjithë jemi potencialisht të prekshëm, nga ankthi dhe nga stresorët që e shoqërojnë këtë ankth, sepse tashmë janë të shumëllojshëm këto stresorë dhe goxha të fuqishëm. Prandaj dhe mesa duket popullata është dhe shumë e ndjeshme, dhe po e tregon stresin në forma siç është ankthi, ndryshime të humorit, pagjumësia, çrregullime të përqendrimit të kujtesës.

“Mjekja thotë se krahas ankthit dhe stresit, janë shtuar edhe rastet me çrregullime më të rënda mendore. Agresiviteti është pasoja më e shpeshtë me të cilën përballen mjekët.

“Patjetër ka edhe shtim të rasteve me problematika të mëdha të shëndetit mendor, por në krahasim me problematikat e vogla është më minimal. Agresiviteti është një nga shenjat më të hasura hë për hë. Të gjithë ne jemi dëshmitarë të një lloj irritabiliteti që është në ajër, dhe që është çrregullim klasik i stresit post traumës.”

Psikiatrët pohojnë se kriza ekonomike në vend ka ndikuar shumë në rritjen e rasteve por shkaqe kanë qenë dhe tërmeti apo pandemia. /abcnews.al/