20:07 / E Shtunë, 13 Prill 2019 / indeksADMonline

Dzeko zhbllokohet atëherë kur duhet, Roma kap vendin e katërt

Pas fitores së vështirë ndaj Sampdoria-s, Roma ka regjistruar triumfin e dytë radhazi duke mposhtur Udinese-n me rezultatin e ngushtë 1-0.

Me këto tre pikë, kryeqytetasit ngjiten në vendin e katërt të renditjes, duke parakaluar Milan që ndeshjen e radhës e ka me Lazio-n të shtunën në mbrëmje.

Ndeshja ishte e barabartë, me të dyja skuadrat që kishin shanset e tyre për të shënuar. Roma ishte më kërkuese, sidomos në pjesën e dytë ku e kërkoi me ngulm golin.

Ishte Edin Dzeko i cili pas shumë mundimeve ka zhbllokuar rezultatin për Roma-n në minutën e 67’ të takimit.

Ky ishte goli i parë i Dzeko-s në “Olimpico” që prej prillit të vitit 2018.

Pas asistim fantastik të El Shaarawy-t, sulmuesi boshnjak ka dërguar topin në rrjet me shumë klas.

Goli i ka mjaftuar Ujqërve të Ranieri-t të marrin tre pikë jetësore në luftën për një vend mes katër më të mirëve.