12:01 / E Premte, 11 Janar 2019 / indeksADMonline

E bija e Enver Malokut kërkon drejtësi për babain e saj

Njëzet vjet pas vrasjes së Enver Maloku, përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe familjarë, kanë kërkuar zbardhjen e vrasjes së publicistit.

Për nder të veprës së tij, LDK sot mbajti një akademi përkujtimore, ku u tha se Kosova po bëhet, por larg nga ëndrrat e Enverit.

Agim Veliu, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka kërkuar drejtësi për vrasjen e tij, e po ashtu zbardhjen e këtij rasti.

“Në emër të kryetarit, ju falënderoj në këtë tubim përkujtimor në rastin e 20 vjetorit të filozofit, publicistit dhe krahut të djathtë të presidentit tonë, Ibrahim Rugova. Rugova ia besoi sektorin e informimit Enverit. Ai së bashku me disa gazetarë, hapen Qendrën e Informimit të Kosovës. QIK-u është cituar qindra herë nga mediat botërore. Qëllimi i vrasjes dihet, kishte të bënte me shuarjen e lirisë”, ka shtuar Veliu.

Me një minutë heshtje e filloi fjalimin e tij akademiku, Sabri Hamiti.

Ai tha se për 20 vite ka qenë ndër publicistët më të njohur të Kosovës. Ai tha se nga publicisti ka kaluar në gazetarin e rezistencës.

“Është thënë edhe më herët që Enver Maloku është bërë shkrimtari kryesor në Kosovë. Kështu e larësoij stilin e vet, dhe peshën e fjalës në veprim. Për një decenie u bë kronikani më i rëndësishëm. Ai ishte i admiruar por edhe i kundërshtuar nga kundërshtarët e filozofisë”, tha Hamiti.

Ai tha se në kohën kur u vra Enver Maloku, para derës dhe para familjarëve të tij, edhe vet Hamiti ishte i shtrirë duke u ballafaquar me atentatorin.

“Thuhet se veprimi nuk vjetrohet, por nëse nuk gjykohet rinohet. Krimi nuk mund të gjykohet nëse nuk ka institucione të pavarura. Kujtimi i Enver Malokut është i përjetshëm. Libri i tij dhe i Xhemail Mustafës, “Një lutje për Prishtinën”, janë dëshmi e dramës së Kosovës”, ka shtuar Hamiti.

E bija e Enver Malokut, Doruntinë Maloku tha se ky krim edhe pas 20 viteve, është shumë i freskët. Drejtësi ka kërkuar edhe ajo për babain e saj.

“Kur u vra babi para syve tanë, unë që isha 16 vjeçare, tash kam pothuajse moshës e mamit kur mbeti e ve. Po rriten edhe nipat e mbesat. Kosova po ashtu po bëhet, por larg nga ëndrrat e Enverit. I jemi mirënjohës të gjithë atyre. Dera e familjes tonë është e hapur përherë me ju, që dhimbjen na i keni bërë më të lehtë, dhe krenarinë më të madhe”, ka përfunduar ajo.