13:54 / E Premte, 30 Mars 2018 / indeksADMonline

E çuditshme: Arabia Saudite paguan United që t’ia stërvis sulmuesin

Sulmuesi i Arabisë Saudite, Mohamad Al-Sahlavi, do të stërvitet me Manchester United gjatë 3 javëve të ardhshme.

31-vjeçari, i cili krenohet me rekordin e tij të 26 golave në 33 ndeshje me kombëtaren, pritet të fitojë nga përvoja e kampionëve të Jose Mourinhos dhe vetë trajnerit portugez për të mbërritur në formën më të mirë të mundshme në Botërorin e Rusisë.

‘The Special One’ nuk është i interesuar për shërbimet e futbollistit të Al-Nasri, por gjithçka është një marrëveshje financiare mes klubit të “djajve” dhe shtetit të Gjirit, i cili ka vendosur të paguajë një shifër të çmendur vetëm që ylli i tyre i skuadrës të shkojë me një eksperiencë më të pasur në Rusi.

Presidenti i Autoritetit të Përgjithshëm të Sporteve i Arabisë Saudite, Turki Al-Sheikh, zyrtarizoi lajmin në “Twitter”: “Është rënë dakord me Manchester United për Mohamed Al-Sahlavi, që ai t’i bashkohet një programi stërvitor 3-javor. Zoti e Bekoftë!”.

Arabia Saudite nuk po kalon formën e saj më të mirë. Ata u mundën 4-0 nga Belgjika në miqësoren e fundit. Skuadra e renditur në vend të 69-të të FIFA-s, do të çelë Botërorin me ndeshjen që do të ngrejë siparin kundër organizatorëve të Rusisë.