14:31 / E Mërkurë, 29 Qershor 2022 / C E

E kërkon PSG-ja, Lille dyfishon kërkesën për “yllin” portugez

PSG po punon që të ndërtojë një skuadër në gjendje për të fituar Champions League-n, trofeun që aq shumë e dëshiron. Kampione e Francës, pasi rinovuan me Kylian Mbappenë, tani janë hedhur në sulm për të shtuar cilësinë në repartin e mesfushës. Në skenë ka dalë emri i futbollistit të Lille, Renato Sanches. Për portugezin interesim ka shfaqur dhe Milani, por me futjen në garë të PSG situata ndryshon.

Edhe pse fillimisht Lille kishte vendosur një çmim prej 15 milionë eurosh, menjëherë pas interesimit të kryeqytetasve e ka dyfishuar kërkesën, duke kërkuar 30 milionë euro nga klubet që synojnë të marrin lojtarin e  lindur në Lisbonë. Pavarësisht kërkesës së Lille, PSG ka bërë ofertën e parë prej 10 milionë eurosh, kjo për faktin se portugezit i skadon kontrata verën e ardhshme e nuk do të ishte i logjikshëm një investim aq i madh.

Sanches u shpall në vitin 2016 lojtari i ri më i mirë në kampionatin europian, por edhe pse u transferua te Bayerni nuk arriti që të shfaqte potencialin e tij, ndoshta dhe nga mosha e re që kishte. Nga vera e vitit 2019 është pjesë e Lille, teksa edicionin e shkuar luajti 25 ndeshje, duke shënuar dhe dy gola në Ligue 1.