10:07 / E Hënë, 18 Nëntor 2019 / indeksADMonline

“Die Welt”, shkruan për Kosovën: Simbol i lojës së ndershme dhe respektit

Gazeta e njohur gjermane “Die Welt” ka shkruar për ndeshjen e mbrëmshme Kosovë-Angli, që u luajt në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Në artikull shkruan se tifozët e Kosovës u ngritën në këmbë dhe e kënduan himnin e Anglisë si shenjë falënderimi pë intervenimin e ushtarëve britanikë si pjesë e NATO-s gjatë luftës në Kosovë.

“Rezultati dhe humbja prej 4 me 0 nuk kishte rëndësi. Rëndësi kishte mikpritja, që u bë për ekipin mysafir. E gjithë shfaqja iu dedikua një kombi të tërë për ndihmën e ofruar për çlirimin e Kosovës”, shkruan në artikullin e gazetës gjermane.

“Para 20 vjetësh ushtarët britanikë ishin pjesë e forcave paqëruajtëse në kuadër të NATO-s, dhe në fund ata i ndihmuan 2 milionë banorët e këtij vendi të çlirohen dhe të bëhen të pavarur. Këtë nuk e kishin harruar kosovarët. Ata konsideruan se mundësia më e mirë për t’i falënderuar ishte ndeshja e futbollit”.

Për afro një javë ishin vendosur edhe banerët në shenjë mirëseardhjeje “Welcome&Respect”.

Në stadium “Dardanët” gjatë gjithë kohës kishin mbajtur edhe nga një flamur të Anglisë.

Përveç që kënduan himnin tifozët e thirrën secilin emër të futbollistëve mysafirë.

“Simbol i lojës së ndershme dhe respektit”

Fotografitë nga Prishtina do të mbesin gjatë në kujtimet e anglezëve.

Kjo ishte një pasqyrë krejt tjetër nga dy ndeshjet me Bullgarinë dhe Malin e Zi, ku u dëgjuan kore fyese raciste për lojtarët.

Ëndrra e Kosovës për kualifikim, akoma nuk ka mbaruar. Edhe pse nuk arriti të kualifikohet nga faza direkte në “Euron 2020”, atë djemtë e udhëhequr nga Bernard Challandesi mund ta bëjnë nëpëmjet Ligës së Kombeve.