12:48 / E Enjte, 26 Mars 2020

E ofendoi Albin Kurtin, Komisioni i Gjyqtarëve merr masa për referin kosovar

Komisioni i Gjyqtarëve i FFK-së ka pezulluar nga puna gjyqtarin Qendrim Vata për ofendimin ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Ai kishte postuar një fotografi në Facebook ku e ka krahasuar Kurtin me një drejtues komunist.

Ky është vendimi i KGJ:

Komisioni i Gjyqtarëve në bazë të kodeksit të mirësjelljes për të gjithë anëtarët e FFK-së, e ku janë të përfshirë edhe gjyqtarët, ka vendosur masën e pezullimit për gjyqtarin Qendrim Vata, për shkak të deklaratës së tij në rrjetet sociale, me ç’rast ka bërë ofendim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Njëherësh Komisioni i Gjyqtarëve lëndën e këtij rasti e delegon tek Komisioni Disiplinor i FFK-së, ku do të kërkohet edhe deklaratat e të lartpërmendurit.

Komisioni i Gjyqtarëve u bën thirrje të gjithë gjyqtarëve që të mos shprehin qëndrime politike, e aq më pak të shprehën në forma të tilla ofenduese për cilindo politikan apo institucion. Sporti është vetëm sport.

Me respekt,

Përparim Hasani, kryetar i Komisionit të Gjyqtarëve