21:27 / E Martë, 18 Janar 2022 / AR

E paarsyeshme rritja e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë

Shkruan Bashkim Mustafa Prof. Ass. Dr i Ekonomisë

Ajo që shihet në propozimet për energjinë elektrike që janë aprovuar nga Qeveria e Kosovës, në të vërtetë, vënë në pikëpyetje profesionalizmin dhe shfaqin manipulimin me shifra të atyre qe kanë propozuar e edhe më tepër të Qeverisë qe e ka aprovuar.

Është për t’u çuditur me faktin, së si mund të ndodhin gjëra të tilla e të kalojnë aq lehtë, kur dihet ndjeshmëria e lartë të qytetarët dhe te secila familje.

Së pari do të duhej të analizoheshin siç duhet faktorët relevantë në këtë çështje;

• Të këtë diskutime profesionale me njohës dhe profesionistë të fushës;

• Të jenë të përfshira palët e interesit që preken nga ngritja e çmimeve;

• Të llogariten kostot direkte dhe indirekte, të cilat mund të shkaktohen në konsumin e secilës familje në nivel vendi;

• Pastaj diskutimet publike dhe matje të efekteve ekonomike dhe financiare;

• Por ajo që është më e rëndësishmja, çdo shpenzim që prek ekonominë familjare mbi 20% të shpenzimeve të saj mujore, do të duhej të kishte informim publik të paktën 6-12 muaj më herët, në mënyrë që familjet të mund t’i planifikojnë, shpenzimet por edhe të mund t’i shqyrtojnë alternativat.

Në vitin që lamë pas u ballafaquar më një inflacion që nuk kishte ndodhur që nga pas lufta e vitit1999, i cili do të vazhdojë edhe në këtë vit, me mbi 5% rritje, e që ka qene i papërballueshëm për shumë individë dhe familje, duke dëmtuar në masë të madhe shumë biznese e vështirësuar mbijetesën.

Qeveria e Kosovës në vend që të shqyrtonte opsionet profesionale për të gjetur zgjidhje të arsyeshme dhe të përballueshme për qytetarët e vendit, me shumë nguti dhe e  ndikuar nga biznesi i energjisë,  mori vendime jo profesionale dhe në dëm të qytetarëve dhe ekonomisë së vendit.

Ngritja e çmimit të energjisë e manipuluar nga ZRRE dhe Qeveria me shifra të pasqaruara për opinion dhe pa një analizë kompakte bile rreth shpenzimit për kategori, do t’i dëmtojë shumicën absolute të qytetarëve dhe ekonomitë familjare të vendit!

Efektet e këtij vendimi do të jenë të dëmshme për ekonomitë familjare me efekt zingjiror në dëm të Produktit të Brendshëm Bruto.