17:24 / E Martë, 18 Shkurt 2020 / indeksADMonline

E paprecendentë: KQZ-ja e shqetësuar me mosmiratimin e buxhetit – zgjedhjet në Podujevë mund të dështojnë përfundimisht

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka thënë troç të martën pasdite se zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës mund të dështojnë.

Ky njoftim është bërë në mbledhjen e këtij institucioni pasi që Qeveria e Kosovës ende nuk e ka miratuar buxhetin të cilin e ka kërkuar KQZ-ja për t’i organizuar këto zgjedhje. Vetëm 2 orë para kësaj mbledhje, IndeksOnline raportoi se po rrezikohet mbajtja e zgjedhjeve shkaku i mosaprovimit të buxhetit.

Ky është rast i rrallë dhe i pari kur Qeveria e Kosovës vonon kaq shumë për të aprovuar buxhetin të cilin e kërkon KQZ-ja për të organizuar zgjedhje të jashtëzakonshme.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit në këtë institucion, Yll Buleshkaj, ka thënë se ka marrë informatën nga Ministria se buxheti siç është kërkuar nga KQZ-ja nuk do të aprovohet.

“Veprimi i ministrisë është veprim i pashembullt. Asnjëherë nuk ka ndodhë që një project i joni i buxhetit të merr kaq gjatë kohë për trajtim, sidomos të mos kemi informim kthyes se ku jemi dhe cilat janë komentet nëse ka komente. Para pak minutash e mora informatën se Ministri nuk do ta aprovojë buxhetin në formën si është. Unë i tregova se atëherë nuk do të ketë zgjedhje. Kërkoi një takim me mua të enjten për ta shpjeguar, unë i tregova se është shumë vonë. Nuk e di arsyen e vonesave, por jemi duke hyrë në zonën e kuqe, ku ne mund të përfundojmë në ditën e zgjedhjeve ku të mos kemi fletëvotime. Nuk është më përgjegjësi e Sekretariatit, kjo është përgjegjësi e Qeverisë”, tha Buleshkaj, raporton IndeksOnline.

Shqetësimi për vonesën në miratimin e buxhetit dhe rrezikimin e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve apo mundësisë që këto të dështojnë, i ka shprehur anëtari i KQZ-së, Sami Hamiti, duke folur në emër të këshillit të KQZ-së për buxhet dhe fiananca, duke rekomanduar që kryetarja e KQZ-së t’i dorëzojë Qeverisë një kërkesë urgjencë sepse siç u shpreh ai, rrezikohen të mbahen zgjedhjet në Podujevë.

“Si rekomandim nga këshilli vjen që kryetarja së bashku me kryeshefin ekzekutiv të bëjnë edhe një shkresë urgjencë në Qeveri dhe në Ministri që së paku të trajtohet kjo jo më larg se nesër, sepse nesër (e mërkurë) e kanë mbledhjen e Qeverisë. Unë kontaktova me zëvendëskryeministrin dhe i shpreha shqetësimet sepse nuk është hera e parë që aprovohet buxhet për zgjedhje të jashtëzakonshme, janë praktikat. Shumica e zgjedhjeve kanë qenë të jashtëzakonshme”, ka thënë Hamiti, raporton IndeksOnline.

Edhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, është deklaruar e shqetësuar me situatën e krijuar.

“Asnjëherë nuk na ka ndodhur që të mos kemi buxhet 25 ditë para ditës së zgjedhjeve. Siç e dini tradicionalisht fletëvotimet asnjëherë nuk janë shtyp në Kosovë, por jashtë Kosovës, për shkak të specifikave teknike të cilat i kanë dhe të cilat specifika nuk mund t’i përmbushë kompani në Kosovë. Por, gjithsesi, pavarësisht asaj, janë procedurat e prokurimit të cilat kërkojnë afate ligjore, të cilat nuk mund t’i tejkalojmë. Që nga dita e sotme ne si KQZ nuk mund ta bartim përgjegjësinë për çfarëdo lloj dështimi jo vetëm të afateve, por ashtu siç u tha, mund të na ndodhë që në ditën e zgjedhjeve të mos t’i kemi fletëvotime. Është shumë më mirë që publikisht tashmë të dihet që ne kërkesën e kemi bërë me kohë. Nëse ka pasur vërejtje në atë kërkesë, ka mundur që ajo kërkesë të kthehet dhe të korrigjohet nëse ka vërejtje në atë buxhet. Të na tregohet se ku janë ato vërejtje që të kemi mundësi t’i përmirësojmë.”, tha Daka.

Edhe anëtarët tjerët të KQZ-së janë deklaruar të shqetësuar me këtë gjendje, por për këtë temë nuk u deklaruan përfaqësuesit e Vetëvendosjes në KQZ, ndonëse ishin prezent në mbledhje./IndeksOnline/