15:38 / E Mërkurë, 06 Qershor 2018 / indeksADMonline

“E urrej fëmijën tim, lutem të vdesë në gjumë”, letra e nënës së pandjeshme…

Ardhja në jetë e një fëmije është një nga ato ngjarje që ndryshon kryekëput jetën e një çifti dhe ekuilibrat e së përditshmes.

Është bekim, gëzim, është emocion i papërshkrueshëm dhe ndjenjë paqeje e lumturie që zor ta kuptojnë ata që nuk e kanë provuar.

Por, për një grua amerikane e cila ka zgjedhur të ndajë situatën e saj duke përdorur një profil fals në sitin Reddit, ardhja në jetë e fëmijës së tretë është një makth i cili duket se nuk ka të mbaruar.

Nëna e dëshpëruar ka treguar se gjithçka filloi kur mori vesh se ishte shtatzënë, një lajm që zbuloi fare rastësisht pasi dhe ndjeu lëvizjet e fetusit në bark.

Ajo dhe i shoqi nuk donin më fëmijë të tretë, prandaj ky lajm i tronditi pasi gruaja gjatë kësaj merrte rregullisht kontraceptivë. Në momentin që gruaja me pseudonimin “#dislikemythird” zbuloi se priste fëmijë, ishte tepër vonë për të abortuar dhe u detyrua ta sillte në jetë, ndonëse gjatë shtatzënisë kishte dëshiruar që të kishte një abort spontan.

Gjatë kësaj kohe shtirej se ishte e lumtur për ardhjen e tij në jetë pasi nuk donte që të krijonte dyshime tek dy vajzat e mëdha.

E hapur dhe e sinqertë në rrëfimin e saj, nëna anonime pohon se vajzat e saj janë “fëmijët model” që ka dëshiruar gjithë jetën, kurse djali është hiperaktiv dhe i zhurmshëm “18 muajt e parë të jetës së tij kanë qenë një makth.

Kam qarë aq shumë dhe kam urryer çdo ditës të jetës sime.

Unë dhe im shoq luteshim që të vdiste në gjumë, pasi vetë kështu jeta jonë do i rikthehej realitetit dhe qetësisë së zakonshme.

E di që ai nuk e kërkoi të sillet në këtë botë dhe meriton më mirë, por nuk di si të sillem ndryshe.

Ndihem fajtore për gjithë këtë, prandaj jam këtu.

Nuk dua leksione nga askush, por një ndihmë që të mos ndjej kaq urrejtje ndaj tij.

Ndihem vetëm…”

Prindërit e tjerë sugjeruan që ajo të gjente një terapist tjetër, pasi trajtimet e deritanishme nuk kishin funksionuar.

Sipas Shoqatës Psikologjike Amerikane, 1 në 7 femra vuan nga depresioni post-partum, pra pas lindjes/ Burimi “Mirror.co.uk”

Depresioni pas lindjes; pse shkaktohet dhe si duhet vepruar për ta kapur në kohë

Ardhja në jetë e një fëmije është një gjë e mrekullueshme për gruan.

Megjithatë pas lindjes së bebes, shumë nëna të reja mund të hasen me paqëndrueshmëri psikologjike dhe emocionale për shkak të presionit të madh shpirtëror, që quhet depresioni i pas lindjes (postpartum ose pastnatal).

Depresioni postpartum është një formë e depresionit klinik që prek pas lindjes së fëmijës jo vetëm gratë, por edhe meshkujt, ndonëse këta të fundit në një nivel më të ulët.

Gjatë periudhës së paslindjes deri në 85% e grave përjetojnë çrregullime të ndjeshme të humorit.

Për pjesën më të madhe, këto çrregullime janë të lehta dhe vijnë në formën e ndjesive të njohura si melankolia e paslindjes ose “baby blues’’.

Luhatjet kryesore të kësaj periudhe janë ndryshimet e humorit, irritimi, të qarat dhe ankthi.

Ato mund të fillojnë nga dita e parë e lindjes dhe arrijnë kulmin në ditën e katërt ose të pestë.

Studimet kanë treguar që çrregullimet e humorit të kësaj natyre zhduken brenda dy javëve të para të lindjes.

Rreth 10-15% e grave përjetojnë një formë më persistente të depresionit postpartum, kurse 0.1- 0.2% e tyre përjetojnë psikozë postpartum.

Kjo e fundit është shumë e dëmshme për nënat e raj dhe mund të çojë deri ne shfaqjen e haluçinacioneve.

Depresioni postpartum karakterizohet nga ndjenja të shpeshta mërzie, trishtimi dhe faji, të qara të shpeshta, humbje e interesit ndaj foshnjës, irritim dhe sulme paniku, si dhe ndjenja e boshllëkut.

Gjatë kësaj kohë nënat e reja shfaqin gjithashtu probleme me gjumin, vështirësi për të komunikuar me të tjerët, vetëvlerësim të ulët, shtim dhe ulje në peshë në mënyrë të pashpjegueshme.

Nga se vjen depresioni i paslindjes?

  1. Arsyet fizike: këto arsye lidhen me çrregullimin hormonal. Ky fenomen vjen nga procesi i lindjes së bebes.
  2. Arsyet psikologjike: mjekët theksojnë se gratë me depresion të paslindjes kanë vështirësi të përshtaten me rolin e ri të nënës dhe të kapërcejnë presionin e shkaktuar nga gjidhënia dhe përkujdesja ndaj bebes. Disa mjekë janë të mendimit se presioni i grumbulluar në periudhën e shtatzënisë dhe shqetësimet e mëdha mund të shkaktojë çrregullimet shpirtërore.
  3. Arsyet shoqërore : ku bëjnë pjesë problemet ekonomike, mungesa e përkrahjes nga bashkëshorti apo prindërit. Çdo nënë e re ka nevojë për mbështetjen e familjarëve.

Si duhet vepruar në këto raste?

  1. Një fëmijë në jetën e një çifti patjetër që sjell ndryshime madhore, fëmija është i të dy prindërve prandaj të dy duhet të luajnë rol aktiv për rritjen e tij.
  2. Femrat që vuajnë nga depresioni i paslindjes kanë tendencë ta fshehin atë për arsye të ndryshme .Komunikoni me bashkëshortin, familjarët ose miqtë. Qëndroni pozitive në mendime se kjo gjë do të kalojë, mos u fusni në dëshpërim.

3.Lindja dhe ushqimi i bebes janë detyra e të gjithë familjes jo vetëm të nënës së re. Prandaj, të gjithë anëtarët e familjes duhet të kontribuojnë për rritjen e fëmijës, pa ia lënë të gjithë barrën gruas.

  1. Aktivitetet sportive janë gjithashtu një mjet efektiv pasi siç e dimë të gjithë gjatë ushtrimeve fizike nxitet sekretimi i endorfinave, duke parandaluar depresionin.

Në rast se situata juaj përkeqësohet konsultohuni me mjekun përkatës/ Living