10:33 / E Enjte, 07 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Edhe Fakulteti i Arteve në Pejë kundër vendimit të MAShT-it, kërcënojnë me protesta dhe bojkot të mësimit

Vendimi i Ministrisë së Arsimit, për mos dhënien e bursave për studentët e Fakultetit të Edukimit dhe atij të Arteve, ka nxitur reagime.

Këshilli i Studentëve të Fakultetit të Edukimit pas protestës që ka mbajtur, sot ka marrë vendim të bojkotojë mësimin për shkak të mos përmbushjes së kërkesës që të ketë bursa studimi edhe për ta.

Derisa protestë për të kundërshtuar vendimin e MAShT-it sot do të mbajnë studentët e Fakultetit të Arteve. Protesta nis para Fakultetit të Arteve nga ora 10:30, për të vazhduar deri te Ministria e Arsimit.

E, kundër këtij vendimi po del edhe Fakulteti i Arteve “Haxhi Zeka” në Pejë, përcjellë Indeksonline.

Dekani i këtij fakultetit, Hysen Nimani, ka nisur një kërkesë në adresë të ministrit të arsimit, Shyqiri Bytyqi, në të cilën thuhet se ndjehen të diskriminuar dhe kërkojnë anulim të vendimit ose të hapin një konkurs tjetër.

Madje, përmes kësaj letre paralajmërohet edhe protestë dhe bojkot të mësimit.

Ndryshe, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka thënë se bursat do të shpërndahen vetëm për kuadrot deficitare./Indeksonline/