75 Mall Live Search
21:43 / E Premte, 24 Nëntor 2023 / Gj. Sh

Edhe një libër me interes për Opojën nga studiuesi Sadik Mehmeti

Shkruan: Demir Reshiti

Këto ditë, në kuadër të botimeve të Institutit Albanologjik të Prishtinës, pa dritën e botimit libri më i ri i studiuesit opojan dr. Sadik Mehmeti, me titull “Defteri i popullsisë së Kazasë së Gorës (1833) Luma, Opoja, Gora”. Recensues të librit janë dr. Hatixhe Ahmeti dhe prof. dr. Hysen Matoshi i cili njëherësh e ka bërë edhe redakturen gjuhësore të librit, ndërsa redaktor teknik është Nuhi Simnica.

Në 625 faqe të këtij libri është pasqyruar regjistrimi i popullsisë së 85 fshatrave të Lumës, Opojës dhe Gorës, krahina këto që në atë periudhë (1833) i përkisnin të ashtuquajturës Kaza e Gorës. Ky defter njëherësh paraqet edhe regjistrimin e parë modern (censuzin) e popullsisë së këtyre fshatrave, përkatësisht të popullsisë mashkullore.

Përtej vlerave të përgjithshme që ka ky defter osman për ndriçimin e të kaluarës së trevës së Lumës, Opojës dhe Gorës, ky libër është i rëndësishëm edhe për hartimin e gjenaologjive familjare të banorëve të sotshëm të këtyre trevave.

Sadik Mehmeti i lindur në vitin 1972 në fshatin Kuk të Opojës, është doktor i shkencave të historisë dhe bashkëpunëtor shkencor në Degën e Historisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Ka punuar në Arkivin e Kosovës (1999-2018); pedagog i jashtëm në Fakultetin e Filologjisë (2017-2019) e në Fakultetin Filozofik (2016-2018) të Universitetit të Prishtinës dhe në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë (2007-2019).

Dr. Sadiku është autor i një mori punimeve shkencore të botuara në revistat shkencore brenda dhe jashtë Kosovës, si në “Gjurmime albanologjike” (IA), “Vjetari” (AK), “Kosova” (IH), “Buletini” (Fakulteti Filozofik-UP), “Buletini” (FSI), “Universi” (AIITC-Tiranë), “Studime historike” (Akademia e Shkencave – Tiranë), “Kalendari” (KBIK), “Edukata islame” (BIK), “Perla” (Tiranë), “Studime orientale” (Prishtinë), “Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare” (Fakulteti Filologjik-UP Prishtinë), “Haci Bektaş Velî” (Ankara), autor i 27 zërave në “Fjalori Enciklopedik i Kosovës” (ASHAK) etj.

Është autor dhe bashkautor i disa monografive nga fusha e historiografisë dhe e arkivistikës: “Dorëshkrimet orientale në Arkivin e Kosovës”, ASHK, Prishtinë, 2008; “Udhërrëfyes i fondeve dhe koleksioneve arkivore”, vëll. II, ASHK, Prishtinë, 2003; “Udhërrëfyes i fondeve dhe koleksioneve arkivore”, vëllimi III, ASHK, Prishtinë, 2004; “Rrystem ef. Shporta- jeta dhe vepra (1865-1937)”, KBIK, Prishtinë, 2010; “Bibliografi e revistës “Vjetar”-i (1965-2015)”, ASHAK, Prishtinë, 2015; “Kontribute për historinë e Opojës”, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2015; “Bibliografi e botimeve të veçanta të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës”, ASHAK, Prishtinë, 2016; “Udhërrëfyes i fondeve dhe koleksioneve arkivore në Agjencinë Shtetërore të Arkivave”, ASHAK, Prishtinë, 2017; “Shkollat dhe arsimi në Kosovë (1830-1912)”, (në proces botimi), Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2019; Të burgosurit politik shqiptarë në Jugosllavi (1989), sipas dokumenteve sekrete të Minsitrisë Federative të drejtësisê dhe të Adminsitratës, (bashkëpërgatitës dhe bashkëpërkthyes), botoi: Instituti Albanologjik i Prishtinës, 2019; Dijetarë shqiptarë në Perandorinë Osmane (1880-1912), sipas dokumenteve te Meshihatit të Lartë Osman, bashkautorë, botoi: BIRK, 2020; Dorëshkrimet orientale në Arkivin e Kosovës (katalog), botoi: Komuna e Prishtinës, 2022; Sallnametë e Vilajetit të Prizrenit (1873-1874), vëllimi I-II, bashkautor, botoi: Instituti për Hulumtime dhe Studime Islame Prishtinë, 2023.
Defteri i popullsisë së Kazasë së Gorës (1833) – Luma, Opoja, Gora, është libri më i ri i dr. Sadikut i cili është njëri nga studiuesit aktual më produktiv në Kosovë dhe më gjerë.  Në opusin e studimeve të tij hyjnë edhe një pjesë e konsideruar e librave dhe kontributeve të tjera për të kaluarën e Opojës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.  Dr. Sadikut i dëshirojmë shëndet dhe suksese të mëtejshme në këtë mision.