14:37 / E Premte, 13 Tetor 2023 / L K

Edhe sa pikë i duhen Shqipërisë për të siguruar matematikisht Kampionatin Evropian?

Dy fitoret e fundit në “Air Albania”, 2-0 me Poloninë dhe 3-0 me Çekinë, praktikisht i kanë kualifikuar kuqezinjtë në eventin madhor të futbollit të Kontinentit të Vjetër.

Do të mjaftojë vetëm një pikë në dy ndeshjet e radhës, për ta prerë biletën si vendi i dytë. Por ambiciet dhe mundësitë janë më të mëdha: Shqipëria me një fitore e mbyll si e para e Grupit H.

Shqipëria ka grumbulluar 13 pikë, 5 më shumë se Çekia, që pas pak ditësh pret Ishujt Faroe, dhe 4 më shumë se Polonia, që luan në shtëpi me Moldavinë.

Fitorja e pritshme ndaj vendit të fundit do ta çonte Çekinë në kuotën e 11 pikëve dhe më dy ndeshje në dispozicion, ndaj Polonisë dhe Moldavisë.

Gjithashtu suksesi i mundshëm i Polonisë ndaj Moldavisë, i çon polakët në kuotën e 12 pikëve, një më pak se Moldavia.

Në këtë skenar, Shqipëria shkon në dy ndeshjet e fundit si kryesuese e grupit dhe do t’i mjaftonte një pikë, qoftë në Moldavi, qoftë në “Air Albania”, që të kualifikohej.