18:49 / E Martë, 11 Dhjetor 2018

Edhe transgjinore, edhe ashkalike, jeta e vështirë e Qerkicës në Prishtinë

Qerkica është një grua 42 vjeçare, transgjinore, e komunitetit ashkali që jeton në Prishtinë.

Karakteristikat e saj bëjnë që ajo të jetë e diskriminuar disa herë prej shoqërisë në të cilën jeton. Përkundër përpjekjeve të shumta, Qerkica nuk ka arritur të shpëtojë prej këtyre paragjykimve, e përkundrazi, frika e saj për jetën shtohet dita ditës.

“Gjithë i kam ndi këto fjalë, po çdoherë jam mundu me i injoru”, thotë Qerkica. “Mas një kohe u mësova, po tash në këtë moshë, ja kam nisë me u tutë ma shumë për veti. Më duket kanjiherë se nji ditë njani ka me nxjerrë thikën edhe unë qaq e pata. Nuk kam çka lypi ma në Kosovë”.

Në Kosovë egziton diskrimin i madh lidhur me komunitetin ashkali, e në rastin e Qerkicës, si person transgjinor, ky diskriminim tejkalon masën e normales. Ajo frikësohet për jetën e saj, pasi shumë herë është treguar që shoqëria di të jetë e pamëshirshme me këta persona.

Qerkica ka lindur në Fushë Kosovë por më pas familja e saj është shprëngulur në Mitrovicë. Ajo ka qenë e vetëdijshmë për identitetin e saj si grua që prej fëmijërisë.

“Gjithë jam ndi si gru, prej kur i kam pasë nëntë vjet; emrin e pata lonë Valentina, krejt menojshin që jam gru”, tregon Qerkica, duke mbajtë në duar disa fotografi, ku dukej me shoqet e saj, të gjitha të veshura me fustane të mbrëmjes e të lyera me makiazh. “Tek kur u rrita e ja nisi me më dalë mjekrra e me më ndryshu zani, njerëzit ia nisën me ditë që isha fizikisht mashkull”, tregon ajo për Kosovo 2.0.

Mospranimi, si për shumë nga anëtarët e tjerë të komunitetit LGBTI, edhe për Qerkicën kishte filluar në vetë familjen e saj. Me katër vjet shkollë fillore, në vitin 1989 kur ishte 13-vjeçare, presioni që ndjente prej familjes për t’u përshtatur, e shtyu Qerkicën ta merrte një vendim që asnjë i ri nuk duhet marrë – ajo e la shtëpinë në kërkim të strehimit.

Diskriminimi për Qerkicën filloi prej familjes së saj. Në pamundësi për të gjetur mirëkuptim ajo në moshën 13 vje[are ajo vendos të largohet prej shtëpisë.

Larg shtëpisë ajo u përball me forma tjera edhe më të rënda të diskriminimit. Pjesëtarët e komunitetit ashkali shpesh i thonë: “Kjo po na merr fytyrën e tjerët po mendojnë që na jena qeshtu”; ndërkohë që shqiptarët i kanë thënë: “Po na e prish rininë”.

Në vitin 1993 ajo për herë të parë gjeti mundësinë për të pasur një jetë normale. Ajo u martua në Pejë me një burrë që e donte për atë që ishte vërtetë.
“Djali i kojshisë u patë dashuru shumë në mu, dhe një ditë më tha: ‘Valentinë, du me u martu me ty’”, thotë Qerkica.

Qerkica, atëherë 17-vjeçare, thotë se i kishte dyshimet se si do të reagonte ai kur ta kuptonte identitetin e saj gjinor. Për gratë transgjinore, shprehja e gjinisë në publik has mospranim më të madh sesa për burrat transgjinorë dhe Qerkica përballej vazhdimisht me paragjykime dhe diskriminime. Edhe pse martesa mes tyre dukej e pamundur, për befasi të saj, ai jo vetëm do t’i bëhej i shoqi, por edhe familja e tij e pranuan.

Por si zakonisht përpjekjet e saj për të pasur një jetë normale nuk funksionuan. Ishte familja e saj që e ndau Qerkicën prej burrit dhe e ktheu në Fushë Kosovë.
Më 1995 Qerkica takon Mustafën edhe ai person i komuniteti LGBT, me të cilin vendosin të jetojnë së bashku.

Të dy, jo vetëm që do të bëheshin kujdestarë të njëri-tjetrit e miq të pandashëm, por do ta ndanin kujdesin dhe ndjenjën e sigurisë e të pranimit me të tjerë të komunitetit LGBTI që përballen me të njëjtat vështirësi.

“Gjithmonë krejt kush na ka taku ka mendu që jam çika e Mustafës, e unë nuk u thojsha jo; nashtë, le të mendojnë që s’jam vetë”, thotë Qerkica, e cila gjeti një lloj sigurie te Mustafa, 16-vjet më i vjetër.
Shoqëria e tyre e përbashkët filloi t’i referohej asaj si “qerka” e Mustafës, që në gjuhën serbe do të thotë “e bija”. Asaj i mbeti nofka Qerkica, në formën përkëdhelëse të fjalës.