14:48 / E Mërkurë, 13 Janar 2021 / OSH

Edhe zyrtarisht Qeveria emëron Samedin Mehmetin Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e punës, ka mbajtur mbledhje korresponduese-elektronike. Në mbledhjen e 57 me radhë, Qeveria ka miratuar vendimin për emërimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe vendimin  për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit për prokurimin publik të Republikës së Kosovës, në projektin për sigurinë e rrjetit  të brendshëm të teknologjisë informative të Policisë së Kosovës.

Qeveria në detyrë, i ka propozuar kryeministrit Hoti emërimin e Samedin Mehmetit, drejtor të përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Vendimi do të hyjë në fuqi në ditën e publikimit në gazetën zyrtare të Republikës së Kosovës.

Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe vendimi për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit për prokurimin publik të Republikës së Kosovës, të Projektit për sigurinë e rrjetit  të brendshëm të teknologjisë së informacionit të Policisë së Kosovës.  Bëhet fjalë për mbrojtjen nga sulmet kibernetike dhe sigurinë e rrjetit të brendshëm të teknologjisë së informacionit të Policisë së Kosovës, që vlerësohet të jetë i ndjeshëm dhe konfidencial.