23:06 / E Martë, 04 Gusht 2020

Edinson Cavani pranë klubit të njohur portugez

Edinson Cavani është gati të përjetojë një etapë të re të karrierës së tij europiane.

Pasi ndau rrugët me Paris Saint Germain, sulmuesi uruguajan ishte në kërkim të një tjetër sfidë në Europë, u fol madje edhe për një kthim në Uruguaj, por qendërsulmuesi ka dëshirë të luajë ende në nivele të larta.

Gjatë merkatos së janarit, si Interi ashtu dhe Atletico e Madridit kishin bërë një sondazh për sulmuesin dhe pista më e nxehtë dukej ajo madrilene, por në orët e fundit në skenë ka dalë Benfica, që i ka propozuar lojtarit një kontratë njëvjecare prej 2.5 milionë eurosh, plus 8 milionë të tjera në dorë në momentin e firmës.

Lajmi jepet nga e përditshmja portugeze “A Bola”, që shkruan me optimizëm për një përfundim pozitiv të operacionit.

Benfica, në fakt, është shumë aktive më merkato, pasi ka hapur bisedimet me Gremion për të firmosur edhe me sulmuesin e kombëtares së Brazilit, Everton.

Sipas medieve braziliane, 24-vjeçari është identifikuar nga trajneri i portugezëve, Jorge Jesus, objektiv kryesor në merkato, pasi kërkon të përmirësojë opsionet në sulm për sezonin e ardhshëm.

Everton është i lidhur me Gremion deri në dhjetor të vitit 2023 dhe ka një klauzolë largimi prej 120 milionë eurosh, por klubi brazilian është gati të negociojë për 25 milionë euro në sajë edhe të impaktit që ka patur Koronavirusi në merkaton e futbollit.

Në drejtim të brazilianit kanë shfaqur interes edhe Napoli, Evertoni, Milani dhe Borusia e Dortmundit.