13:22 / E Mërkurë, 28 Mars 2018 / indeksADMonline

Edon Koxha, talenti që e mahniti Milanin, synon Përfaqësuesen e Kosovës (Foto/Video)

Edon Koxha është njëri prej talentëve më të mëdhenj të futbollit kosovar, shkruan zeri.info.

Futbollisti nga Kaçaniku madje vite më parë i ka mahnitur edhe trajnerët e akademisë së Milanit, i cili kishte zbarkuar në vendin tonë me “Milan Junior Camp” dhe ishte përzgjedhur për të shkuar në Itali.

Image

Mirëpo, fatkeqësisht Edoni nuk kishte arritur të pajisej me vizë dhe i ishte shuar përkohësisht ëndrra për të dalë në Evropë.

“Ishte një ndjenjë e paharruar sepse në mes të 200 fëmijëve, të jesh i përzgjedhur është një arritje e madhe”, thotë fillimisht Edoni për “Zërin”, duke i përshkruar ndjejat e zgjedhjes së njërit prej më të mirëve të atij kampi.

Image

“Po, refuzimi i vizës ishte një lajm i hidhur, por unë nuk do të ndalem deri në momentin e fundit”, vazhdoi ai.

Image

Synon një klub të madh dhe Përfaqësuesen e Kosovës

Edon Koxha momentalisht luan për 2 Korrikun. Mirëpo ai, si çdo futbollist tjetër, i ka ëndrrat e tij.

“Për momentin luaj në kategorinë e juniorëve në Superligë me 2 Korrikun. Normalisht, kam synime edhe më të mëdha që në të ardhmen të nënshkruaj me njërin prej ekipeve më të mëdha në pesë ligat më të forta në Evropë”, shprehet Koxha.

“Gjithashtu, ëndërroj që një ditë të kem ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës”, përfundoi Edoni.

Image

Karriera e Edonit

Edon Koxha është lindur më 1 shtator 2000 në Kaçanik.

Ai tregon e kishte nisur karrierën në vitin 2011 në klubin e Avdurrit nga Kaçaniku. Pastaj është transferuar në shkollën “Arsenali” në Prishtinë dhe në vitin 2015 ka kaluar në klubin 2 Korriku.

Sukseset e Edonit

Sulmuesi i rrezikshëm ka folur edhe për sukseset e tij. Ai tregon se gjatë turneve të zhvilluar në Shqipëri me ekipet ku ka luajtur, dy herë e ka zënë vendin e parë. Pastaj, vendin e parë e ka zënë edhe në Danimarkë me grupmoshën U-15 dhe vendin e dytë në Turqi, po ashtu me grupmoshën U-15. Po ashtu, zbulon Edon Koxha, është shpallur kampion i Kosovës me grupmoshën U-17.