08:50 / E Enjte, 31 Dhjetor 2020 / Blerim

Edy Reja: 2020, vit i vështirë dhe jo normal, por pozitiv në futboll

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Edoardo Reja, ka bërë bilancin e vitit që po lëmë pas në futboll. Në një intervistë për faqen e Federatës Shqiptare të Futbollit, ai ka thënë se pavarësisht vështirësive të shkaktuara nga COVID-19, bilanci për vitin 2020, duke iu referuar ndeshjeve të fundit të Kombëtares është pozitiv.

Tekniku i kuqezinjve duket se ende nuk e ka kapërdirë humbjen në shtëpi me Lituaninë, duke e cilësuar si momentin më të vështirë të vitit në futboll. Megjithatë vendi i parë në grup i sjell ndërmend kujtime të mira, me njerëz që e falënderonin në rrugë për rezultatet e arritura. Sa i përket shortit të eliminatoreve të Botërorit 2022, ai shprehet se ekipi do të jetë kompetitiv deri në ndeshjen e fundit kundër Andorrës.

Në fund, trajneri Reja shprehet se përpos futbollit, ky vit ka qenë një vit jo i mirë për të gjithë, me humbje njerëzish dhe me një jetë jo normale. Ai uron për të gjithë punonjësit e FSHF-së, tifozët si dhe të gjithë shqiptarët një vit më të mirë dhe një vit normal.

Bilanci për vitin 2020 me Kombëtaren Shqiptare – Bilanci për vitin 2020 në përgjithësi ka qenë pozitiv. Por duhet të kemi parasysh vështirësitë e mëdha që kemi pasur, mbi të gjitha për shkak të Covid-19, që na ka kushtëzuar shumë. Mbi të gjitha para se të shkonim në transfertat e Kazakistanit dhe Lituanisë kishim probleme të mëdha.

Shumë lojtarë nuk luanin me klubet e tyre, dikush ishte i infektuar me virusin korona, dikush kishte probleme të tjera dhe duhet të gjenim mënyrën që të hidhnim në fushë lojtarët që aktivizoheshin me klubet. Na është dashur të aktivizonim, për fat të mirë, disa lojtarë të cilët nuk kishin luajtur kurrë më parë me Kombëtaren, por në dy ndeshjet të rëndësishme siç ishin ato në Kazakistan dhe Lituani kanë bërë paraqitje mjaft të mira.

Mbase kemi luajtur më mirë se në ndeshjet ku kemi fituar, kemi krijuar shumë raste për gol, por për fat të keq nuk e çuam topin në rrjetë.

Pra, bilanci është pozitiv, sidomos nëse i referohemi performancës së fundit ku fituam miqësoren me Kosovën, që ishte e rëndësishme për ne e më pas dy ndeshjet me Bjellorusinë dhe Kazakistanin në shtëpi. Tre fitore radhazi që na dhanë siguri dhe besim, i dhanë shumë entuziazëm grupit dhe për sa i përket objektivit final ne ia dolëm mbanë.

E rëndësishme është që gjithçka përfundoi mirë. U renditëm të parët në grup dhe jemi shumë të kënaqur. Mendoj se duhet ta kishim fituar një nga transfertat ku morëm dy barazime, kishim më shumë mundësi të shkonim në play-off-in e Botërorit. Por duhet të jemi të kënaqur dhe të mundohemi të bëjmë më mirë në të ardhmen.