11:31 / E Martë, 05 Prill 2022 / A. M.

Efektet e mos regjistrimit të popullsisë në politikat e qeverisjes lokale në Kosovë

Regjistrimi i popullsisë është baza kryesore e shtetit për të planifikuar zbatimin e politikave kombëtare dhe lokale në dedikimin dhe shpenzimin e buxhetit të shtetit, respektivisht ky regjistrim ndihmon vet komunitetet që të marrin ndihmën e duhur shtetërore për arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe punët publike.

Organizimi i sistemit qeverisës në Kosovë determinon një rol shumë të rëndësishëm të nivelit lokal të qeverisjes, përkatësisht komunave në ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët.

Efektet e regjistrimit të popullsisë janë shumëdimensionale si në aspektin kombëtar dhe në atë lokal. Në nivel lokal të qeverisjes efektet e regjistrimit të popullsisë, kryesisht shtrihen në këto fushë:

  • Përcaktimin e madhësisë së komunave sipas numrit të banorëve,
  • Përcaktimit të numrit të anëtarëve të Kuvendeve të Komunave,
  • Përcaktimit të të drejtave të komuniteteve pakicë për zv. Kryesuesin e Kuvendit të Komunës
  • Përcaktimit të të drejtave të komuniteteve pakicë për nënkryetarin e komunës
  • Përcaktimin e nivelit të pjesëmarrjes së komunave në Grantin e Përgjithshëm
  • Përcaktimin e nivelit të pjesëmarrjes së komunave në Grantin Specifik për Arsim
  • Përcaktimin e nivelit të pjesëmarrjes së komunave në Grantin Specifik për Shëndetësi
  • Përcaktimin e madhësisë së administratës së komunave
  • Përdorimin e gjuhëve zyrtare në komuna, etj,.

Në këtë kohë, sipas standardeve dhe kalendarit të rregullt të censusit, neve do të duhej të  analizonim rezultatet e reja zyrtare mbi numrin e popullsisë së komunave dhe ndikimit të këtyre shifrave në mënyrën e organizimit, funksionimit apo financimit në komuna, në përputhje me normat ligjore të cilat bazën e tyre reflektuese e kanë tek numri i popullsisë së komunave. Mirëpo, deri sa nuk kemi një regjistrim të tillë edhe pas 12 vjetëve, ne po paraqesim disa nga efektet e mungesës së këtij regjistrimi në qeverisjes lokale në Kosovë.

Efektet negative të mos regjistrimit të popullsisë marrin karakter shumë serioz edhe për faktin se vlerësimet më të fundit të popullsisë tregojnë një lëvizje bukur të madhe të numrit të banorëve në disa komuna. Sipas këtyre vlerësimeve janë diku 4 komuna që kanë rënie të numrit të banorëve më shumë se 10% deri në minus 23% të numrit të banorëve sa kishin në vitin 2011, ndërsa në anën tjetër kemi komuna me rritje të numrit të banorëve deri në 14%. Këto ndryshime kanë ndikimin e tyre domethënës sidomos në përcaktimin e buxheteve të komunave sipas Granteve Qeveritare (Grantit të Përgjithshëm dhe G.S. të Shëndetësisë). Ky fakt së paku duhet të merret parasysh nga inicuesit dhe hartuesit e projektligjit për financat e pushtetit lokal, për arsye se çfarëdo ndërhyrje në formulat e financimit të buxheteve të komunave nga grantet qeveritare në këtë kohë derisa nuk kemi një regjistrim zyrtar të popullsisë nuk do të garantonte zhvillimin e një politike të duhur në interes të komunave për përmbushjen e mandatit të tyre për ofrimin e shërbimeve publike cilësore sa më afër qytetarëve.

Për më tepër, këtu mund të shohim edhe ndikimin e numrit të popullsisë së komunave nëpër kuvendet e komunave, pozitave politike të garantuara të popullsisë pakicë në organet komunale, ndryshimin thelbësor të madhësisë së komunave. Rëndësi të veçantë regjistrimi i popullsisë do të kishte tek implementimi i nenit LVL-së, sa i përket përbërjes së kuvendeve të komunave. Kjo sidomos për vet faktin se tani më nga fundi i vitit të kaluar dhe fillimi i këtij viti ne kemi strukturat e reja të zgjedhura lokale, ndërsa organizimi dhe funksionimi i tyre është i bazuar në të dhënat e vjetra të regjistrimit të popullsisë. Duke marrë për bazë këto vlerësime të fundit të popullsisë shohim një rënie të numrit të popullsisë si në nivel vendi e posaçërisht në komuna veç e veç, andaj kjo domosdoshmërisht do të ndikonte drejtpërdrejtë në numrin e anëtarëve të kuvendeve të komunave, si në nivel të përgjithshëm sa kemi tash diku pak më shumë se 1000 anëtarë të kuvendeve të komunave, do të kishim vetëm 982 anëtarë të kuvendeve të komunave, apo kushtimishtë thënë, një kuvend më pak. Ndikimin më të madhe këto rezultate do të kishin në komunat, si: Kamenicë, Obiliq dhe Vushtrri.

Gjithashtu, sa i përket strukturave politike në nivel lokal ky regjistrim do të ndikonte dhe determinonte edhe implementimin e dy dispozitave shumë të rëndësishme të LVL-së siç janë ajo e nenit 54 për Zëvendës Kryesuesin e Komuniteteve për kuvendin e komunës dhe nenin 61 për Nënkryetarin e Komunës për Komunitete. Sipas ligjit, për ato komuna që kanë 10% apo më shumë të popullsisë nga komuniteti pakicë (për komunë) ju takojnë ligjërisht edhe këto dy pozita politike.

Këto rezultate do të jenë faktor i rëndësishëm edhe sa i përket madhësisë së administratës komunale, duke ndikuar kështu drejtpërsëdrejti në rritjen e sidomos zvogëlimin e numrit të lejuar të nëpunësve lokal nëpër administratat komunale, duke kufizuar kështu madhësinë e administratave komunale në përputhje me vendimet e qeverisë.  Në fund, ndikimin të pakapërcyeshëm në këtë analizë e kemi parë edhe sa i përket gjuhëve zyrtare në komuna, në përputhje me Ligjin për Gjuhët.

Shkelqim Jakupi / Njohës i fushës së qeverisjes lokale

Burimet:

1. https://ask.rks-gov.net/media/6202/vler%C3%ABsimi-i-popullsis%C3%AB-2020.pdf (Vleresimi i popullsisë 2020);

2. Ligji Nr. 03/L-041 Për Kufijtë Administrativ të Komunave;

3. Ligji Nr. 03/L-049 Për Financat e Pushtetit Lokal dhe

4. Ligji Nr. 03/L-040 Për Vetëqeverisjen Lokale.