Ekskluzive: Arrestohet i dyshuari për plagosjen e tre personave në Pejë
Është lokalizuar dhe arrestuar Agron Gashi, i dyshuar për plagosjen e tre personave mbrëmë në Pejë.
Indeksonline raporton se i dyshuari që gjendej në arrati, është rrethuar nga forcat policore dhe është arrestuar çaste më parë.
Lajmin ndërkohë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.
“Personi i dyshuar për plagosjen e tre personave mbrëmë në Pejë, që ka qenë në arrati deri para pak momentesh, është lokalizuar nga Policia e Kosovës dhe është arrestuar. Me urdhër të prokurorit të Shtetit, i njëjti është ndaluar për 48 orë” tha Nikçi për Indeksonline.
Agron Gashi, i njohur me nofkën “Gon Ozdrimi”, mbrëmë në Pejë plagosi tre persona: dy djem bashkë me babanë e tyre, pas një konflikti të dyshimtë.
Viktimat kanë pësuar lëndime të rënda trupore, për të cilat janë duke marrë tretman në QKUK.
Mbrëmë pas mesnate policia arrestoi një tjetër person, i dyshuar për dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprës penale.
“Kemi arrestuar një person për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprës penale”. Për momentin, jemi duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të lokalizuar vendndodhjen e të dyshuarit dhe me arrestu. Arrestimi i personit në fjalë ka ndodhur sot në mëngjes, diku rreth orës 01:00 pas mesnate” konfirmoi sot për Indeksonline prokurori Ersan Qavolli./Indeksonline/