16:06 / E Premte, 20 Tetor 2023 / MSH

Ekskluzive: Deputetja britanike e quan keqkuptim lajmin për pezullimin e liberalizimit të vizave, flet për sigurinë…!

Deputetja britanike, Alicia Kearns, po qëndron për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.

Deputetja gjatë ditës së sotme do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë shtetërorë.

Në një intervistë ekskluzive për Indeksonline, Kearns ka thënë se me rëndësi për të është siguria e Kosovës.

“Çka ka më shumë rëndësi është të fokusohemi që njerëzit e Kosovës të jenë të sigurt dhe Ballkani Perëndimor të jetë i sigurt. Për momentin kemi krizën e sigurisë të krijuara nga ngjarjet e 24 shtatorit dhe është shumë e rëndësishme të sigurohemi që nuk ka rrezik të dhunës në të gjithë Kosovën. Ne duam të sigurohemi që të gjithë në tërë Kosovën të jenë të sigurt”, ka thënë Kearns.

Tutje, ajo shtoi se keqkuptimi mbi liberalizimin është diçka që ndodhë por që vendi duhet të fokusohet në realitet.

“Në aspektin e situatës politike, nuk jam pjesë e asaj, por është e rëndësishme që politika të përkrahë situatën e sigurisë, ajo është prioritet. Në aspektin e vizave, e kuptoj që ka qenë një keqkuptim, kjo është diçka që ndodhë në politikën ndërkombëtare. Por është më e rëndësishme të fokusohemi në realitet.”

Se çfarë do të bëjë në Kosovë, Kearns tha për Indeksonline se është këtu për të njohur njerëzit, kulturën dhe të dëgjojë nga afër qytetarët.

“Unë jam këtu për të dëgjuar dhe për të mësuar. Si politikane, shpesh kam ngritur zërin në mbështetje të paqes në Ballkanin Perëndimor dhe në mbështetje të Kosovës. Kjo është mundësi e mirë për mua të mësoj për njerëzit, kulturën, ushqimet dhe të takohem me njerëz të ndryshëm të shtetit të Kosovës dhe të bisedoj me ta”, përfundoi Kearns.

Kujtojmë se Kearns ka kohë që avokon në tërë Britaninë për shtetësinë e Kosovës dhe të drejtën e saj për të shtrirë sovranitetin.

Ajo pati thënë në korrik se ka armë që po kontrabandohen nga Serbia në Kosovës përmes autoambulancave dhe po shkarkohen në kishat ortodokse. Ajokishte thënë se për këtë KFOR-i britanik është në dijeni./Indeksonline/