16:53 / E Premte, 26 Shkurt 2021 / OSH

Ekskluzive/ Fenomeni i Shkëndijës, Dashmir Elezi flet për herë të parë: Ofertat, e ardhmja, skuadra e ëndrrave dhe futbollisti model

Shkruan: Çlirim Qeriqi

Futbolli në Maqedoninë e Veriut në këtë sezon u njoftua me fenomenin e quajtur, Dashmir Elezi.

 16 vjeçari që luan për Shkëndijën e Tetovës arriti të rishkruaj historinë e futbollit maqedonas.

Futbollisti që pritet të kap majat e futbollit evropian dhe botëror, ka folur për herë të parë në një intervistë për Indeksonline.

Elezi në këtë intervistë ekskluzive flet për të ardhmen e tij, përvojën e tij si 16 vjeçar në nivelin më të lartë profesional, grumbullimin me Maqedoninë e Veriut dhe shumë gjëra tjera.

Më poshtë keni intervistën e plotë të Dashmir Elezit të dhënë për Indeksonline:

1.Jeni duke shkëlqyer këtë sezon dhe jeni një nga futbollistët më të përfolur në Maqedoni, sa ka ndikuar futbolli në jetën tënde?

Elezi: “Jam i lumtur për faktin se gjërat kanë ecur mirë dhe unë paralel me detyrat që kam në skuadër, jam duke jetuar realizimin e ëndrrës. Që kur kam nisur të ushtroj futboll, në mendje kam pasur një ditë të firmos kontratë profesionale dhe të jem pjesë e ekipit të parë dhe jam shumë i kënaqur që kjo realizohet që në këtë moshë. Në jetën time tentoj të jem i njëjti, asnjë ndryshim jashtë fushës, përveç faktit që ndjej përgjegjësi i të qenurit futbollist profesionist, si në jetën e përditshme, ashtu edhe në stërvitje dhe ndeshje”.

2.Jeni vetëm 16 vjeçar dhe futbollisti më i ri në skuadër, si ju kanë pritur bashkëlojtarët?

Elezi: “Mirënjohje maksimale për gjithë bashkëlojtarët, stafin teknik, gjithë të punësuarit në klub e deri te drejtuesit. Vërtet të gjithë, pa përjashtim kanë bërë që ta kem shumë të lehtë ndryshimin, pasi edhe pse jam më i riu në moshë, kam mbështetje maksimale dhe ndjej sikur të gjithë janë angazhuar që të më përkrahin pa rezervë”.

3. Debutimi juaj do të mbahet mend gjatë pasi edhe arrinit ta gjenin golin, çfarë ndjenje ishte që në moshë kaq të re të shkruanit historinë e futbollit të Maqedonisë Veriore?

Elezi: “Unë kam fatin që shumë i ri të përfshihem në ekipin e parë dhe duke llogaritur faktin se nën 16 vjeç nuk lejohet të paraqitesh në ndeshje zyrtare, kisha zhvilluar vetëm disa ndeshje kontrolluese. Interesant se qëlloi Shkëndija të kishte ndeshje një ditë pasi unë mbusha 16 vjeç dhe nuk duhej pritur shumë gjatë për debutim. Stafi teknik më inkuadroi si titullar kundër Shkupit dhe isha me fat që në debutim unë arrita edhe të shënoj. Isha shumë i lumtur që luaja me ekipin e parë, madje edhe ndihmova skuadrën me gol, ndërkohë kjo do të bënte shumë bujë pasi u shënuan paralel dy rekorde, debutuesi më i ri dhe golashënuesi më i ri në Ligë. Natyrisht, ndjenjë e bukur të lidhen këto gjëra me emrin tim”.

4 Tashmë keni marr ftesë nga Kombëtarja e Maqedonisë së Veriut në një ndeshje testuese që e ka organizuar trajneri, Igor Angellovski dhe me shumë gjasë pritet të jeni në listën e futbollistëve të ftuar në ndeshjet e radhës. A është ky sinjal që tashmë keni bërë përzgjedhjen tuaj për kombëtare?

Elezi: “Unë kam luajtur rregullisht me moshat e reja të vendit dhe natyrisht më ka gëzuar fakti se trajneri i përfaqësueses A më grumbulloi me të rriturit, qoftë edhe për një kamp dhe ndeshje testuese si ajo që kishim”.

5. Duke ditur se mund të luani edhe për Shqipërinë por edhe për Kosovë, a keni pasur kontakte nga këto dy federatat?

Elezi: “Nuk më ka kontaktuar askush përveç Maqedonisë”.

6. Me që jeni vetëm 16 vjeçar dhe ende është vetëm fillimi i karrierës, cilat janë qëllimet tua për të ardhmen?

Elezi: “Dua të marr gjërat me radhë dhe pa nxitim. Futbolli është specifik dhe çdo ditë është mundësi për dëshmim të ri. Nga e kaluara nuk jetohet. Planifikoj të luaj sa më shumë me Shkëndijën, të ndihmoj ekipin të realizojë objektivat si në vend ashtu edhe në Kupat e Europës, pastaj kur të vijë momenti i duhur, sigurisht se dua të transferohem në ndonjë ligë më të avancuar. Por e përsëris, pa nxitim. Për momentin përqendrimi është titulli i kampionit në këtë sezon”.

7. Jeni nga futbollistët më premtues në Ballkan, a keni marr oferta nga skuadra të njohura evropiane?

Elezi: “Puna ime është të jem sa më profesionist. Të stërvitem si duhet, të ushqehem shëndetshëm, të ndjek rekomandimet për pushim dhe gjitha gjërat që kërkon profesionalizimi dhe në ndeshje të provoj të perfomoj në maksimumin e mundësive të mia në interes të rezultatit që kërkon skuadra. Me gjërat tjera nuk preokupohem, pasi personalisht nuk merrem me gjë tjetër veç detyrimeve të mia. Çështjet jashta fushës janë përgjegjësi e njerëzve kompetent për drejtimin në fjalë”.

8. A do të vazhdoni të jeni pjesë e Shkëndijës edhe sezonin e ardhshëm?

Elezi: “Sigurisht se po. Kam kontratë profesionale që hyri në fuqi në momentin që mbusha 16 vjet dhe natyrisht se e shoh veten pjesë e Shkëndijës”.

9. Në cilën skuadër ëndërroni të luani dhe kush është futbollisti që ju inspiron dhe qe e keni si model?

Elezi: “Ëndrrat i kam lënë anësh pasi po shikoj se me punë njeriu mund të jetojë realitetin. Shpresoj të ecin gjërat si duhet dhe të shoh veten një ditë në një klub të madh. Ndërkohë si tifoz më pëlqen Liverpool, jo vetëm për stilin e lojës qoftë të momentit apo nga e kaluara, por edhe për historinë që kanë, lidhjen me qytetin dhe tifozerinë,….! Si futbollist ka plot yje, por kisha veçuar se më inspiron mënyra e punës që bën Cristiano Ronaldo”.

10. Stili i juaj I të luajturit futboll është parë si i ngjashëm me atë të Sergio Agueros. Ju a mendoni se keni stilin e njëjtë si Aguero?

Elezi: “Haha, ju falënderoj për komplimentin dhe krahasimin e bukur. Realisht nuk e kisha menduar këtë më parë, prandaj se them dot nëse kam ndonjë element si të tij. Gjithsesi po flasim për një futbollist të madh që i ka dhënë shumë futbollit.

/Indeksonline/