12:06 / E Shtunë, 15 Qershor 2019

Ekskluzive: I “avullohen” 66 mijë euro dhe pistoleta zyrtarit të qeverisë, policia interviston 16 persona!

Një shumë e madhe parash dyshohet se i janë vjedhur një zyrtari të lartë të Qeverisë së Republikës.

Indeksonline mëson se bëhet fjalë për Muhamet Malsiun, drejtorin e Departamentit të Mbrojtjes së Mjedisit dhe Departamentit të Ujërave pranë Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Atij dyshohet se i janë “avulluar” 66 mijë euro. Përpos parave, të njëjtit i është vjedhur edhe pistoleta në shtëpinë e tij në Rekë, Dubravë të Kaçanikut.

Lidhur me këtë rast, organet e sigurisë kanë zhvilluar një operacion të gjerë nëpër disa fshatra të Kaçanikut.

Nga ky operacion janë arrestuar 16 persona. Ata janë intervistuar dhe më pas liruar në procedurë të rregullt.

Megjithatë, zyrtari i MMPH-së s’e ka mohuar vjedhjen që i është bërë në shtëpi. Mirëpo, Malsiu nuk ka dhënë asnjë detaj më të vogël rreth parave apo gjësendeve që i janë vjedhur muajin e kaluar.

Indeksonline ka kontaktuar me Malsiun, i cili në fillim hezitoi të flas rreth kësaj çështje.

“Ditën e mirë… Jo, kërkoj falje jam nxan me familjarë. S’kam ide vallai, veç nëse më informon najkush. Një thyerje e shtëpisë, s’kam informacion kurgjo. Ooo kanë bo vjedhje në shtëpi, e kanë thy, moti u kanë kjo, para nja 2-3 jave”, është shprehur ai.

Më tutje, zyrtari i Ministrisë së Mjedisit e konfirmon se për këtë rast është intervistuar nga organet e sigurisë.

“Po sigurisht se jam intervistuar nga policia. O kanë bo vjedhje në plot vende ato hajnat dhe janë në kërkim, nuk kam informacion më shumë. Sëm kanë informuar më shumë policia”, është shprehur ai.

Çfarë roli ka në Qeveri Muhamet Malsiu (i afërt me PDK) që ka shumë vite që punon në ekzekutiv?

Pranë Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ai propozon, zhvillon dhe ofron zbatimin e dokumenteve/strategjive të politikave dhe të legjislacionit në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe legjislacionit.

Malsiu monitoron dhe propozon masa për rehabilitimin dhe mban nën kontroll pikat e nxehta. Identifikon dhe propozon nevojat për investime dhe financime në fushën e mbrojtjes së mjedisit.

Siguron mbështetje për çështjet që lidhen me anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit. Siguron mbështetje, sipas nevojës, për mbikëqyrjen dhe kontrollin e burimeve natyrore dhe pjesëve përbërëse të saj.

Po ashtu, ai merret me dokumentacionin e kërkesave për leje mjedisore, jep rekomandime për rregullsinë dhe në përputhje me rrethanat përgatitë draft lejet mjedisore. /Indeksonline/Alban Muhaxheri/