20:08 / E Enjte, 21 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Ekskluzive: Ku do të zhvillohet ndeshja me Maqedoninë, sa bileta na takojnë? Nga Nyoni flet Agim Ademi

Delegacioni i Federatës së Futbollit të Kosovës, i përbërë nga presidenti Agim Ademi, sekretari Eroll Salihu dhe përzgjedhësi Bernard Challandes po qëndrojnë në selinë e UEFA-së në Nyon.

Qëllimi i kësaj vizite është pjesëmarrja në shortin ku do të vendoset për vendin se ku do të zhvillohet finalja e Ligës së Kombeve.

Më 26 mars Kosova do të ballafaqohet me Maqedoninë Veriore në gjysmëfinale të playoffit, në kërkim për të siguruar pjesëmarrje në kampionatin evropian “Euro 2020”.

Megjithatë, ende mbetet pikëpyetje se në cilin stadium do të zhvillohet kjo ndeshje dhe këtë vendim do ta marrë Federata e Futbollit të Maqedonisë.

Në një intervistë për Indeksonline, presidenti i FFK-së nga Nyoni ka deklaruar se një nga arsyet e udhëtimit në Zvicër është kërkesa që kjo ndeshje të zhvillohet në Shkup.  

“Kam pasur takim me presidentin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muamed Sejdinin por nuk kemi biseduar për vendin se ku do zhvillohet takimi. Është e drejtë e tyre dhe ata do ta vendosin. Ne prandaj jemi këtu në UEFA, do të mundohemi gjithsesi që ndeshjen ta luajmë në Shkup. Shpresojmë që do të kenë mirkuptim edhe ata. Maqedonia e ka alternativë edhe Strumicën por të shohim a do ta propozojnë. Deri tani nuk ka asgjë zyrtare ku do të luajmë. Unë mendoj që zgjidhja më e mirë si për siguri ashtu edhe për përfitime ekonomik që loja të zhvillohej në Shkup” deklaroi Ademi.

Një tjetër çështje e papërcaktuar është numri i biletave që do t’u takojnë shqiptarëve për ndeshjen me Maqedoninë e Veriut. Ademi deklaroi se do të kërkojnë nga UEFA që të rrisin përqindjen e biletave për tifozët e ekipit tonë kombëtare.

“Numri është i ndishëm. Tani neve në çdo takim që luajmë si mysafir na takojnë 5% të ulëseve. Ne zakonisht kërkojmë edhe më shumë. Sidomos për këtë ndeshje ne do t’i kërkojmë edhe Federatës së Maqedonisë edhe UEFA-së që të na ndajë më tepër bileta. Meqë jemi edhe afër gjeografikisht, interesimi do të jetë shumë i madh për shikuar ndeshjen” u shpreh Ademi.

/Indeksonline/