17:37 / E Enjte, 25 Tetor 2018 / indeksADMonline

Ekskluzive: Ky pritet të jetë kundërkandidati i Naim Tërnavës

Bashkësia Islame e Kosovës pritet që të shtunën të zgjedhë kryetarin e saj. Përpos liderit “shpirtëror”, Naim Tërnavës, në këtë garë pritet të jetë edhe një kandidat tjetër.

Indeksonline mëson se ai do të jetë Reshat Mexhidi, aktualisht zëvendës i myftiut të BIK-ut.

Ndonëse nuk e hodhi poshtë që do të jetë pjesë e kësaj gare, Mexhidi shkurtimisht na sugjeroi që për këtë çështje t’i drejtohemi organeve përgjegjëse që merren me zgjedhje.

“Me këtë punë duheni me fol me Komisionin Zgjedhor sepse ata i kanë listat. Nuk dua të flas më shumë”, ka thënë shkurt ai.

(Foto: Reshat Mexhidi)

Imamët dhe Këshillat e Bashkësive Islame nëpër Kosovë padyshim që edhe kësaj radhe pritet ta votojnë bindshëm Naim Tërnavën, i cili qe 13 vite është në krye të BIK-ut.

Sipas Kushtetutës së Bashkësisë Islame të Kosovës, të njëjtit nuk i ndalohet që të rikandidojë për të parin e këtij institucioni.

Vlen të theksohet se myftiu i Kosovës  udhëheq rreth 800 xhami në Kosovë dhe ka mandat 5 vjeçar.   /Indeksonline/

(Foto: Naim Ternava)