19:16 / E Premte, 06 Nëntor 2020 / Blerim

Ekskluzive: Leart Paqarada flet për Indeksonline, tregon se pse nuk u lejua të vijë për ndeshjet e nëntorit

Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Leart Paqarada nuk do të grumbullohet me Kombëtaren tonë.

Skuadra gjermane, St. Pauli vendosi që Paqarada të mos i bashkohet “Dardanëve” për ndeshjet e nëntorit, si shkak i Covid-19, shkruan IndeksOnline

Kështu, IndeksOnline ka biseduar me mbrojtësin kosovar, i cili tha se skuadra e tij ka vendosur që përfundimisht të mos e lejojë atë t’i bashkohet djelmoshave të tjerë.

“Po është e vërtetë që ekipi nuk më lejon me u grumbullu me Kosovën me arsyen që pas kthimit në Gjermani është obligative me qëndru në karantinë për të paktën 5 ditë (deri ne 10 dit)”, tha fillimisht mbrojtësi ynë.

I pyetur se a është munduar ai që të bëjë një zgjidhje dhe të jetë me Kosovën për miqësoren ndaj Shqipërisë dhe takimet ndaj Moldavisë e Sllovenisë, Paqarada u përgjigj me maturi.

“Kemi pasur disa biseda me klubin dhe stafin e Kosovës për të bërë një zgjidhje, por klubet kanë drejtë me vendos përfundimisht dhe kanë të drejtë me thënë jo. Karantina është e obligueshme për çdo futbollistë dhe nuk ka shanse të merret një vendim tjetër”, përfundoi Paqarada.

Kujtojmë se FIFA ka lejuar klubet që t’i ndalojnë futbollistët që të mos grumbullohen me komëtaret e tyre./IndeksOnline/