15:05 / E Mërkurë, 21 Tetor 2020 / A. M.

Ekskluzive: Shteti shpenzon afro 200 mijë euro për zgjedhjet në Veri të Mitrovicës [Dokument]

Është hartuar edhe zyrtarisht buxheti për zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet të mbahen për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut.

Organet përgjegjëse, KQZ-ja ka vlerësuar dhe shqyrtuar kërkesën buxhetore sipas njësive të planit operacional.

Kësisoj, buxheti i planifikuar për zgjedhjet në veri kap shifrën e 193.180.51 euro, shkruan Indeksonline

Ndryshe, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës dhe për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto dy komuna, bazuar në vendimin e presidentit Thaçi do të mbahen më 29 nëntor 2020.

Thaçi e ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në Komunën e Podujevës dhe në atë të Mitrovicës së Veriut në përputhje me vendimet dhe ligjin në fuqi.

Në vendimet e presidentit Thaçi theksohet se organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve për kryetar të komunave: Podujevë dhe Mitrovicë e Veriut duhet të bëhet në koordinim dhe bashkërendim me institucionet përkatëse, në pajtim me Ligjin nr. 07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës. /Indeksonline/