12:23 / E Mërkurë, 10 Mars 2021 / A. A

Ekskluzive/ UEFA reagon ndaj zhvillimeve Spanjë – Kosovë

Federata e Futbollit të Kosovës ka kërcënuar Spanjën që nuk do të zhvillojë ndeshjen kualifikuese për botërorin ‘Katari 2022’ me kushtet e propozuara nga Ministria e Punëve të Jashtme të Spanjës.

Këta të fundit i kanë dërguar një protokoll të veçantë Federatës së Spanjës rreth organizimit të takimit me Kosovën.

Pikat kryesore të këtij protokolli janë këto:

  • Kosova të mos cilësohet si vend sovran.
  • Himni i Kosovës të konsiderohet si muzikë.
  • Flamujt e dy shteteve të mos vendosen afër njëri tjetrit.

Federata e Futbollit të Kosovës ka paralajmëruar që këtë çështje do ta parashtrojë në UEFA:

“Kosova nuk do të bëjë asnjë lëshim – ne do të luajmë vetëm sipas kritereve dhe rregullave strikte të UEFA-s, me himn dhe flamur shtetëror, përndryshe ndeshja nuk do të zhvillohet”

Indeksonline ka kontaktuar UEFA-në, duke parashtruar pyetjen nëse mund të zhvillohet ndeshja sipas kushteve të Federatës së Spanjës. Shtëpia evropiane e futbollit, ka bërë të ditur që kompetencat për organizimin e këtij takimi i mbanë FIFA.

“Ndeshja në fjalë bie nën juridiksionin e FIFA-s dhe për këtë arsye drejtohet nga rregulloret e FIFA-s.

Me mirësi ju referojmë në FIFA në lidhje me pyetjet tuaja” thuhet në përgjigjen e UEFA-së.

Ndryshe, ndeshja Spanjë – Kosovë pritet të zhvillohet më 31 mars.

/Indeksonline/