11:30 / E Hënë, 21 Dhjetor 2020 / A. A

Ekskluzive/ Zeqiri flet pas debutimit në Premier League: Kam gjak shqiptari

Sulmuesi shqiptar Andi Zeqiri, ka bërë një hap të jashtëzakonshëm në karrierë.

21- vjeçari debutoi të dielën në Premier Ligën angleze duke u inkuadruar në pjesën e dytë kundër Sheffield United.

Në një intervistë ekskluzive për Indeksonlinen, Zeqiri tregon emocionet që ndjeu për këtë moment historik për të.

“Është kënaqësi prej prindërve sepse e di që më kanë rrit, jam rrit me gjak shqiptar. Për mua është shumë me rëndësi me debutu në ligën më të fortë në botë. Është kënaqësi për familjen time dhe gjithë shqiptarët që kqyrin futboll”, deklaroi Zeqiri.

Gjatë muajve të fundit sulmuesi shqiptar thotë se ka punuar shumë për të ardhur deri këtu, sepse dallimi është shumë i madh midis futbollit të Anglisë dhe Zvicrës.

“E kom prit deri qitash. Jam përgatit shumë për me arritë deri këtu. Është shumë dallim nga Zvicra sepse kam ardh nga liga e dytë. Kam punuar shumë këto dy muaj e gjysmë, nuk jam dorëzu hiq. Kam ushtru ma shumë se krejt dhe më ka ardhë dita. Krejt këto sakrifica që kam bërë deri tash, e di që trajneri ka besim në mu” shprehet Zeqiri.

Ai thotë se nuk e harron asnjëherë Kosovën, sepse është rritur me gjak shqiptari.

“E di që është bërë pak poterë.  I kam njerëzit që më mbështesin, jam shumë i kënaqur.  I kam prindërit që vijnë prej atjehit [nga Kosova], për mua është shumë me rëndësi kur shoh shqiptarë që më japin forcë, jam shumë i kënaqur”, deklaroi 21-vjeçari për Indeksonlinen.

Brightoni pagoi 6 milionë euro për ta transferuar Zeqirin.

“Para se me ardh në Brighton. Kam pas takim me trajnerin, një bisedë të gjatë në telefon. Kam pas mundësi me shku edhe tjetër kun, por trajneri në atë moment ma ka ndryshu mendjën. E kom marrë këtë drejtim sepse kur një trajner ta tregon planin, ta ndryshon mendjen”, përfundon Zeqiri.