18:48 / E Shtunë, 24 Korrik 2021 / M. M

Ekspertët në SHBA: Varianti Delta, ndër sëmundjet më ngjitëse që njeh shkenca!

Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë po vazhdojnë paralajmërimet për rrezikshmërinë e variantit Delta të koronavirusit, për të cilin thonë se është ndër viruset më ngjitëse që njeh shkenca.

Ata gjithashtu u bëjnë thirrje të gjithë të pavaksinuarve që të imunizohen për të mbrojtur veten dhe të tjerët. Drejtoresha e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Rochelle Walensky, tha se varianti Delta i koronavirusit është një nga viruset më ngjitëse që ajo ka hasur në karrierën e saj 20 vjeçare.Këto komente ajo i bëri gjatë një konference virtuale shtypi ku tha se infektimet me variantin Delta të COVID-19 po vazhdojnë të përhapen gjithandej në Shtetet e Bashkuara.”Varianti Delta po përhapet me shpejtësi të madhe dhe tani përbën mbi 83 për qind të infektimeve në Shtetet e Bashkuara.

Krahasuar me virusin që qarkullonte në ShBA në fillim të pandemisë, varianti Delta është shumë më i ashpër dhe më ngjitës”, tha ajo. Walensky u bëri thirrje njerëzve të vaksinohen për të mbrojtur veten nga varianti dhe të frenojnë përhapjen e mëtejme të koronavirusit. Në këtë takim nuk u bë e ditur nëse Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve po shqyrton mundësinë e ndryshimit të udhëzimit për maskat. Në maj ata thanë se personat e vaksinuar plotësisht nuk kanë nevojë të përdorin maskat kur ndodhen në hapësira publike./Top Chanel/