10:52 / E Martë, 12 Prill 2022 / A. M.

Elemente që i karakterizojnë nga pas lufta e deri me sot mjekët anesteziologë e Intensivit

Prof.Asoc.Dr. Nehat Baftiu, Anesteziolog & Intensivist

Me shkas,

Sot, deri sa po shkruaj letër ngushëllimi për mikun dhe kolegun tim tanimë të ndjerë Dr. Muharremin, mendja me iku tek kolegët e dashur që na i mori vdekja para pak kohe, tek Dr.Samiu, Dr. Syla, Dr. Afrimi, Dr. Hajrullahu, Dr. Isaku, të gjithë Anesteziolog&Intensivist  të dalluar e punëtorë të devotshëm të cilët ndruan jetë duke kryer detyrën e tyre me fisnike atë të mjekut.

Lodhja, angazhimi i tepërt me ditë dhe netë të gjata pune, rrezikshmëria në vendin e punës, stresi, mungesa e kushteve elementare në punë, pagat e ulëta e dekurajuese janë vetëm disa elemente që i karakterizojnë nga pas lufta e deri me sot mjekët Anesteziologë & Intensivit në përgjithësi në Kosovë tonë të dashur.

                                                                                                                                                                 Këto dhe jo vetëm po ndikojnë në rritjen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë së personelit mjekësor nga Klinika e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv.  

Për mua si Profesor e drejtor për vite të tëra i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv qenka shumë e rëndë dhe tepër e vështirë që të humbësh kaq shumë koleg për një periudhë kaq të shkurtër, aq më shumë kur të gjithë kanë qenë specializantë të mi gjatë shkollimit të tyre specialistik.

Shumë qenka dhimbje e rëndë për një profesor në moshë me i përcjellë për amshim kolegët e vetë në moshë relativisht të re. Lutem të mos jetë askush në lëkuren time. 

Por ende edhe sot pozita financiare e personelit mjekësor në shoqërinë tonë lë shumë për të dëshiruar. Me gjithë respektin por fjala bie punëtorët e Postës së Kosovës, Aeroportit, dhe jo vetëm, ata sot gëzojnë të ardhura financiare më të mira se sa të një mjeku specialist. Të mos flasim për pagat e prokurorëve, gjykatësve, ministrave, e të deputetëve të cilat janë të pakrahasueshme me pagën e një Anesteziologu&Intensivist i cili çdo ditë dhe natë është në shërbim të të sëmurëve duke  shpëtuar jetë.

Kjo kategori vitale e shoqërisë sonë për të mos u bërë kategori sociale është e detyruar të punojë pa orar, qoftë në institucione publike apo në ato private, pa mos e llogaritur lodhjen dhe cenimin e shëndetit të tyre, duke e privuar veten nga jeta e tyre private e familjare vetëm e vetëm për të siguruar një jetë më të mirë për veten dhe familjet e tyre, e duke harruar se jeta e tyre po ikë e vdekja po i gjen duke punuar pa pushuar.  

Mjerisht nga pas lufta e deri më sot asnjë qeveri nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndryshuar pozitën e mjekut në shoqëri, ende sot e kësaj dite nuk e kemi ligjin e pagave të aprovuar, ligj ky i cili në njërën anë është bërë mollë sherri  e arenë e përplasjeve politike në mes pushtetit dhe opozitës për një grusht vota, dhe në anën tjetër është bërë arenë e përplasjeve deri në mos durim në mes të Sindikatës së Shëndetësisë dhe Qeverisë.

Është koha dhe momenti i fundit që ky Parlament dhe kjo Qeveri të i thërrasin mendjes dhe sa më parë të aprovojnë ligjin e pagave dhe të rregullojnë pozitën financiare  të mjekëve dhe infermierëve në përgjithësi, dhe Anesteziologëve&Intensivistëve në veçanti, deri sa nuk është bërë vonë.

Sot sistemi jonë shëndetësor në nivel vendi është duke u ballafaquar me mungesë të madhe të Anesteziologëve ndaj është imediate që pozita e specialistëve, specializantëve dhe infermierëve nga Klinika e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv të veçohet brenda sistemit tonë shëndetësor. Kjo është urgjencë kombëtare. Këtë e kam kërkuar dhe për këtë kam punuar gjatë gjithë jetës sime si drejtor shumë vjeçar dhe si ish deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës dhe këtë do ta bëjë deri në fund të jetës sime.

Sot është koha, sikur që ka qenë edhe dje, që liderët politik qoftë në pushtet apo në opozitë të krijojnë një strategji kombëtare duke u mobilizuar të gjithë për të “ruajtur  dhe mbajtur trurin që e kemi brenda, para se ta mendojnë kthimin e trurit nga jashtë”.

Sot mjekët e rinj për fatin e keq janë duke ikur çdo ditë nga Kosova. Ata pothuajse të gatshëm janë duke shkuar në Gjermani e vende tjera të Evropës andaj para se ta mendojmë ikjen e “trurit” si mobilitet-vlerë të Bashkimit Evropian, këtë ikje duhet ta llogarisim si fatkeqësi dhe humbje të madhe për Kosovën tonë të dashur, andaj është koha për të vepruar.

Me respekt,