Elezi sqaron ndryshimin e pozicionimit të kabinave të votimit
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka sqaruar ndryshimin e pozicionimit të kabinave të votimit në vendvotimet në katër komunat veriore të Kosovës.
Elezi ka thënë se kjo erdhi si rekomandimin në vitin e kaluar gjatë kohës së simulimit të procesit zgjedhor.
Më tutje ai ka thënë se ky ndryshim e pamundëson fotografimin e votës nga votuesi dhe nuk cenon fshehtësinë e votës.
“KQZ pas proceseve zgjedhore analizon të gjitha aspektet dhe bën përpjekje për përmirësimin e tyre në proceset e ardhshme. Në këtë drejtim është edhe ndryshimi i pozicionimit të kabinave të votimit që ka ardhur si rekomandim në vitin e kaluar, 2023, gjatë kohës së simulimit të procesit zgjedhor. KQZ ka vendosur që të marrë parasysh këtë rekomandim dhe ta praktikojë në proceset vijuese. Gjatë analizimit, KQZ ka vlerësuar se kjo mënyrë do të pamundësojë fotografimin e votës nga votuesi dhe gjithashtu nuk cenon fshehtësinë e votës”, ka thënë Elezi.
“Po ashtu, vendosja e kabinave në këtë mënyrë është një model që praktikohet edhe në shumë vende të tjera”, shton Elezi.