22:58 / E Enjte, 11 Korrik 2019 / indeksADMonline

Eliminatoret e Europa League, Laçi nuk ruan dot avantazhin ndaj Beer Sheva-s

Nuk ka fitues në ndeshjen e parë mes ekipit të Laçit dhe izraelitëve të Hapoel Beer Sheva, e vlefshme për eliminatoret e Europa League.

Kurbinasit barazuan me rezultatin 1-1 në një ndeshje ku favoritët kryesorë ishin miqtë nga Izraeli, kjo edhe për shkak të përfaqësimeve të tyre dinjitoze në kompeticionet e mëparshme evropiane.

Ekipi i Starovës kaloi i pari në avantazh që në minutën e tretë me një gol të shënuar me kokë brenda zonës nga sulmuesi Nwabueze. Pas këtij goli miqtë u hodhën në sulm për të shënuar, por ishin të paqartë para portës.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e Laçit. Në pjesën e dytë izraelitët e Hapoel Beer Sheva-s kërkuan me ngulm shënimin e një goli dhe ja arritën qëllimit vetëm në minutën e 78-të të takimit me Leva.

Tashmë laçianët do të presin dhe një javë për të mësuar nëse do të kalojnë në raundin tjetër të Europa League, por mund të themi se ndeshja e sotme, pavarësisht emrit të ekipit mik tregoi se diferencat në fushë ishin inekzistente.